E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Tiranës, luftë drogës në shkolla



Policia e Tiranës synon që t’i japë fund fenomenit të shpërndarjes së drogës nëpër shkollat dhe rrugët e kryeqytetit. Agjentët e Sektorit të Antidrogës po përgatisin një plan operacional masash, me qëllim goditjen dhe arrestimin e shpërndarësve të drogave të forta dhe të lehta, të cilët veprojnë afër shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, si dhe në vendet më të frekuentuara të Tiranës. “Policia e Tiranës ka gati një plan operacional masash për të luftuar shpërndarësit e drogës në kryeqytet. Agjentët e Sektorit të Antidrogës kanë nën vëzhgimin shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, ku ka pasur të arrestuar, që merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike”, - u shpreh për gazetën “standard” zëdhënësja për shtyp e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini. Sipas saj, ky problem është shqetësues dhe synohet që nëpërmjet masave të reja që do merren, fëmijët dhe adoleshentët, të mos jenë më të rrezikuar. “Ky problem është nën vëmendjen e bluve të kryeqytetit, të cilët synojnë që t’i japin një goditje të fortë atij, duke bërë që në disa nga zonat problematike të Tiranës të rikthehet normaliteti”, - përfundoi Katragjini. Në vitet e fundit është rritur numri i përdoruesve të drogës në kryeqytet.

Përdoruesit

Sipas të dhënave, numri i përdoruesve të drogave të lehta dhe të forta në Tiranë është rreth 12 mijë. Substancat psikoaktive që përdoren më shumë janë prodhimet e kanabisit rreth 65 %, përdoruesit e opiateve, kryesisht të heroinës, janë 20-25% (një pjesë e konsiderueshme e të cilave intravenoz, duke përbërë një kërcënim potencial për sëmundje të transmetueshme), si dhe rreth 10% janë përdorues të kokainës.

Mosha mesatare e përdoruesve të drogave, sipas të dhënave, është 18-24 vjeç, por nuk përjashtohen rastet e moshave 13-14 vjeç si përdorues të tyre. Grupet më të prekshëm konsiderohen të rinjtë nën 34 vjeç, kryesisht të papunë, por dhe nxënës 14-17 vjeç, që më së shumti nuk shkojnë në shkollë.

Shkaktarët

Sipas mjekëve, shumica e të rinjve e nisin drogën për kuriozitet. Megjithatë, më pas, helmi ka arritur që ta bëjë për vete dhe përdoruesi fillon dhe e kërkon vetë ta përdorë atë. Ndërkohë që sipas të dhënave zyrtare, një faktor tjetër janë problemet familjare si dhe mosha e re në fillimet e adoleshencës.

Përgjithësisht shpërndarësit e drogave, të arrestuar nga agjentët e Antidrogës në policinë e Tiranës janë të moshave të reja, nga 17 e deri 24 vjeç. Ata arrijnë që të përshtaten mjaft mirë me të rinjtë e tjerë nëpër shkolla, duke e bërë të vështirë identifikimin dhe më pas arrestimin nga ana e policisë. Megjithatë, duke qenë një problem gjithmonë e në rritje, edhe vëmendja e uniformave blu është shtuar. Nëpër shkollat e kryeqytetit, si dhe në vendet e preferuara dhe më të frekuentuara nga të rinjtë, janë shtuar punonjësit e policisë.

Harta e shpërndarjes së drogës

Policia ka krijuar edhe hartën e shpërndarjes së drogës në kryeqytet, ku janë përcaktuar edhe zonat më problematike. Kështu, në hartën e drogës, pavarësisht goditjeve të njëpasnjëshme, vazhdojnë të jenë të rrethuara me të kuqe zona e Shkollës së Bashkuar, Alliasi, Selita, Kombinati, Lapraka, lagjja “Ali Demi”, gjimnazi “Partizani”, si dhe ish-Blloku. Ditën e shtunë, agjentët e Antidrogës në kryeqytet ndërmorën një aksion, ku vunë në pranga dy të rinj, të cilët merreshin me shpërndarjen e drogës pranë gjimnazit “Partizani”. Dy të ndaluarve iu kapën 610 gr heroinë. Ata furnizonin me drogë shpërndarësit, të cilët më pas ua shisnin atë gjimnazistëve. Për policinë, shpërndarja e drogës pranë shkollave 9-vjeçare e të mesme si dhe në vendet e frekuentuara nga të rinjtë, është shndërruar në një problem shqetësues dhe tani është gati një plan operacional masash, për të bërë të mundur zhdukjen e këtij fenomeni.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›