Pranga katër të rinjve, akuzohen për shtatë vjedhje
Janë dashur një vit hetime që Policia e Fierit të bjerë në gjurmët e katër vjedhësve, të cilët për më shumë se një vit kanë alarmuar zonën bregdetare të Semanit, duke vjedhur dhe bastisur shumë lokale, dyqane e shtëpi. Ajo që çoi në zbardhjen e autorëve të disa vjedhjeve seri në zonën bregdetare, rreth 21 kilometra larg Fierit, ishin pikërisht gjurmët e gishtave dhe rënia në gjurmë e një prej autorëve, i cili zbërtheu grupin e përbërë edhe nga tre vjedhës të tjerë. Ndërsa burimet zyrtare policore fierake pohojnë se kanë të faktuar rreth 7 vjedhje të kryera nga ky grup, theksojnë se po plotësohet dosja edhe për vjedhje të tjera. Duket se vënia në pranga e katër personave me banim në fshatrat Topojë e Seman, të Komunës Topojë në Rrethin e Fierit do t‘i japë fund tmerrit mes banorëve dhe pronarëve të aktiviteteve private në këtë zonë. Burimet zyrtare të Policisë së Fierit bëjnë të ditur për gazetën "shqip", se i kanë vënë prangat orët e para të mëngjesit të djeshëm 19-vjeçarit Renato Llangori, 23-vjeçarit Adrijan Çala, 25-vjeçarit Bashkim Sukulli dhe 19-vjeçarit Arbër Spiraj. Sipas burimeve policore, të katër këta shtetas kanë kryer disa vjedhje në zonën ku banojnë përgjatë një viti. Burimet zyrtare të policisë pohojnë se dosjet e para të faktuara janë për vjedhjet e kryera një vit më parë, e pikërisht më 25 mars të vitit 2007, në lokalin e shtetasit E.S dhe në një lokal tjetër të shtetasit me iniciale M.Gj. Në brendësi të këtyre lokaleve janë vjedhur jo vetëm paratë, por edhe ushqime me sasi të mëdha si dhe karrige dhe tavolina. Më pas, vjedhjet kanë vijuar në disa shtëpi dhe dyqane të fshatrave të Komunës Topojë.