E Diel, 1 Nëntor 2026

Siguria për tregun bankar, FMN-ja i rekomandon qeverisë shqiptare marrjen e masave

Guvernatori i BSH-së kërkon përmirësimin e sistemit ligjor. Ekspertët e FMN-së, trajtim në pikëpamje ligjore krizës financiare

Ervin Koçi

“Tregu financiar në Shqipëri nuk ka mbështetjen e duhur ligjore për të mirëfunksionuar dhe për të reaguar ndaj mundësisë së prekjes nga krizat”. Ky ka qenë deklarimi i bërë dje nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë takimit “Tregu bankar dhe sistemi ligjor”, me Departamentin Juridik pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar. “Kriza e fundit financiare në botë diktoi rregulla të reja dhe kode të reja juridike për tregjet financiare. Paralelizmi i fundit i titullit të pronësisë, tejzgjatja e konflikteve gjyqësore apo edhe ngërçe të tjera, e gjithë kjo problematikë ka ndikuar drejtpërdrejt në moskurajimin e mbështetjes së ekonomisë me kredi bankare", - u shpreh guvernatori Fullani. "Që vendi ynë të lundrojë, - deklaroi guvernatori, - drejt brigjeve të sigurta të zhvillimit ekonomik, stabilitetit financiar, i duhen të dyja rremat, rendi juridik dhe tregu financiar". Kreu i BSH-së, Fullani, u shpreh më tej se në momentin e mosfunksionimit të një alternative ligjore në fushën e sistemit bankar, “bankat shqiptare ndihen të pafuqishme te pamundësia faktike e ekzekutimit të kolateralit, ecuria e çmimit të tij e kështu me radhë”. Por një mendim krejt tjetër kanë ndarë ekspertët e FMN-së nga ai i përfaqësuesve të institucioneve financiare shqiptare. Sipas tyre, qeveria shqiptare duhet të marrë më tepër masa mbrojtëse ndaj presioneve gjithmonë e në rritje të krizës globale që ka nisur të ketë ndikimin e saj në të gjithë Europën.

Siguria për depozitat

Sistemi bankar, për aq kohë sa menaxhon depozitat e qytetarëve duhet të jetë i sigurt për evitimin e çdo humbjeje të mundshme financiare që lind nga marrëdhënia kontraktuale e akordimit të kredisë. Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, u shpreh se ky hap, sigurisht, nuk është i lehtë, pasi elementet e rrezikut që shoqërojnë këtë marrëdhënie janë të shumta dhe të natyrave të ndryshme. "Shkarazi mund të them se ekziston një rrezik, i cili lidhet me llojin e monedhës; një i dytë lidhet me ecurinë e çmimeve të kolateralit; një i tretë mund të jetë edhe i ashtuquajturi rrezik operacional, e kështu me radhë. Materializimi i njërit apo disave prej këtyre rreziqeve do të sillte vështirësi për bankën", - tha Fullani.
Megjithatë, BSH-ja, me autoritetin e saj mbikëqyrës, e detyron sistemin bankar të krijojë fonde rezervë për çdo një lek kredi të kërcënuar. “E vetmja gjë ku BSH-ja dhe sistemi bankar ndjehen të pafuqishëm, - deklaroi Fullani, - ka të bëjë me mosekzekutimin e kolateralit dhe me një lloj pamundësie ‘de facto’ të disponimit të kolateralit, sidomos kur bëhet fjalë për një kolateral në formën e pasurisë së paluajtshme. Paralizimi i titullit të pronësisë, tejzgjatja e konflikteve gjyqësore të pronësisë, mosekzekutimi i kolateralit, mendoj se ndikojnë drejtpërsëdrejti në përqindjen që kredia hipotekore në veçanti dhe kredia në tërësi zënë, në krahasim me vendet e tjera”. Sipas tij, asnjë institucion financiar apo biznes nuk mund të ketë perfomim bashkëkohor dhe modern, pa një sistem të pavarur ligjor.

Takimi

Ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme ekonomike do të trajtojnë nga pikëpamja ligjore krizën financiare në SHBA, si dhe ndikimin e saj në tregun financiar botëror duke analizuar aspektet juridike të mbikëqyrjes bankare. Për herë të parë ulen së bashku në një tryezë diskutimi gjyqtarë, prokurorë dhe juristët nga tregu bankar për të diskutuar mbi tregun bankar dhe sistemin ligjor. Më konkretisht, në këtë takim marrin pjesë përfaqësues të Bankës së Shqipërisë; juristë të bankave që zhvillojnë aktivitet në Shqipëri; zyrtarë dhe ekspertë të institucioneve dhe agjencive publike që merren me legjislacionin bankar dhe kuadrin rregullativ, si Ministria e Financave, Prokuroria e Përgjithshme, Shkolla e Magjistraturës, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, Autoriteti i Konkurrencës, Drejtoria e Përgjithshme e Luftës kundër Pastrimit të Parave. Gjatë këtij takimi do të preken edhe tema të veçanta si mbikëqyrja administrative dhe juridike e iniciativave ligjore, produktet komplekse financiare, qeverisja e bankave në Shqipëri etj.

18 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›