E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompania “Albtelekom” zgjeron shërbimet e saj në ndihmë të arsimit shqiptar

Projektet i përkasin sektorit të shërbimit të internetit . Interneti do të ofrohet edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara

Ervin Koçi

Kompania kryesore e telefonisë fikse në vend “Albtelekom” ka nisur kohët e fundit zbatimin e një sërë projekteve pilot për ofrimin e shërbimit të internetit në arsimin shqiptar. Kompania, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, si dhe me Bashkinë e Tiranës, po ndërmerr një sërë projektesh pilot për ofrimin e shërbimit të internetit në arsimin 9-vjeçar dhe në universitetet e vendit. Lajmin e ka bërë të ditur vetë drejtori i Përgjithshëm i “Albtelekom”-it, Mustafa Reshit Akdogan, gjatë një konference për shtyp të mbajtur dje për mediat. "Aktualisht, ne po zbatojmë një projekt pilot me universitetin “Epoka”, ndërsa shumë shpejt pritet edhe krijimi i klasave teknologjike me shërbimin internet për fëmijet e shkollave 9-vjeçare", - ka deklaruar drejtori i Përgjithshëm i “Albtelekom”-it, Akdogan. Sipas tij, në kuadër të përgjegjësisë sociale do të krijohen edhe klasa të përbashkëta për fëmijët me aftësi të kufizuara. "Qëllimi ynë është që fëmijët të kenë mundësi të njihen shumë shpejt me shërbimin e internetit", - ka shtuar më tej Akdogan.

Shërbimet e reja

Kompania “Albtelekom” ofron për të gjithë abonentët e rinj që duan të abonohen në shërbimin “ADSL” edhe instalimin e sistemit të modemit falas. Për tri ditët në vazhdim, sipas zyrtarëve më të lartë të “Albtelekom”-it, kompania do të kryejë falas vendosjen e modemit dhe instalimin e tij. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të “Albtelekom”, Mustafa Reshit Akdogan, “kompania ka përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën dhe si rrjedhojë edhe shërbimin dhe ofertat për të gjithë abonentët”. Sipas tij, që nga fillimi “Albtelekom”, përveç uljes së tarifave të shërbimit të internetit deri në tri herë, ka shtuar edhe ofertat duke bërë dhuratë për klientët e rinj një modem ose duke ofruar tarifën e instalimit falas. Më tej, Akdogan tha: "Për të qenë sa më afër nevojave të klientëve tanë, nga data 17-19 nëntor “Albtelekom” vjen me një superofertë, modem dhe instalim falas".

Tarifat

Përsa u përket tarifave, drejtori Akdogan u shpreh: "Albtelekom, mbështetur edhe në metodologjinë e miratuar nga Këshilli i Ministrave për tarifat e Operatorëve me Fuqi të Ndjeshme në Treg, ka ulur deri në 57 për qind tarifat për thirrjet brenda rrjetit dhe 15.8 për qind thirrjet drejt operatorëve celularë". Duke patur parasysh faktin se jashtë Shqipërisë jetojnë dhe punojnë një numër i madh shqiptarësh, “Albtelekom” ka ulur me rreth 14.3 për qind edhe tarifat për thirrjet ndërkombëtare. Ndërkohë, sipas kreut të “Albtelekom”-it, kompania ka ulur edhe tarifat për instalimin telefonik. Nga 14 mijë lekë që ishte më parë, që nga 15 shtatori për instalimin telefonik abonentët po pagujnë 12 mijë lekë, pra 2 mijë lekë më pak. Kuvendi miratoi në mesin e muajit korrik të vitit 2007 kontratën për blerjen e aksioneve të shoqërisë anonime “Albtelekom” nga shoqëria turke “CALIK” në vlerën e 120 milionë eurove.

Akdogan: “Operatorë të pandershëm abuzojnë në tregun e telefonisë”

Drejtori i Përgjithshëm i “Albtelekom”-it, Mustafa Reshit Akdogan, tha dje gjatë konferencës për shtyp: “Një numër operatorësh shkelin marrëveshjet e lidhura për ofrimin e shërbimeve në fushën e telekomunikacionit". Sipas tij, "Albtelekom” ka firmosur marrëveshjet me operatorët e tjerë në treg, me qëllim përmirësimin e shërbimeve ndaj klientit, por disa prej tyre nuk respektojnë rregullat duke përdorur trafikun ilegal dhe në të njëjtën kohë duke i shkaktuar një dëm ekonomik shtetit, pasi ata u shmangen taksave", - deklaroi Akdogan. Sipas tij, tashmë ne kemi informuar edhe Entin Rregullator të Telekomunikacioneve dhe Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe presim marrjen e masave ligjore ndaj këtyre operatorëve.
"Këta operatorë paraqesin telefonatat ndërkombëtare si telefonata të brendshme, duke iu shmangur tarifave reale dhe taksave", - tha drejtori i Përgjithshëm i “Albtelekom”-it, Akdogan.

18 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›