E Diel, 1 Nëntor 2026

Partizani, "i fituari" i vetëm i javës në luftën për shpëtim

Partizani ka marrë maksimumin nga javë e 30-të për sa i përket skuadrave që luftojnë për t‘i shpëtuar rënies nga kategoria. Të kuqtë kanë mundur Apoloninë 2-1 në "Qemal Stafa" në një ndeshje shumë të bukur, e cila ka dhuruar gjithçka, edhe tensionin. Të dyja skuadrat kanë këmbëngulur për të arritur te fitorja, por fati i ka buzëqeshur vetëm Partizanit. Apolonia ka rrezikuar e para, por djemtë e Duros reagojnë shpejt, janë paksa më kërkues. Luhet një ndeshje e bukur mes tyre, me shumë ngrintë. Të kuqtë zhbllokojnë rezultatin me Karapicin në minutën e 28‘ kur fitoi një 11-metërsh, të e ka kthyer në gol. Me rifillimin e pjesës së dytë, Apolonia barazon me Brkiç, por goli i Beges në minutën e 86 ka shkatërruar shpresat e fierakëve për të marrë të paktën një barazim në kryeqytet dhe njëkohësisht ka ngritur peshë tifozerinë e kuqe. Në fund të ndeshjes, stafi i Apolonisë i drejtohet presidentit të Partizanit, Albert Xhani. "Sa lekë u ke dhënë gjyqtarëve në këtë fund sezoni?". Ndërsa numri një i të kuqve u përgjigjet: ‘Unë s‘kam para të likuidoj lojtarët e mi, ju më thoni gjyqtarët". Ndërsa pas daljes nga stadiumi janë shënuar përplasje të dhunshme mes tifozerive në ambientet e jashtme të "Qemal Stafës". Është dashur ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën. Lushnja ka mrekulluar të gjithë me atë paraqitje ndaj Dinamos, të cilën e ka vënë me të vërtetë në vështirësi, duke i rrëmbyer një barazim 1-1. Flamurtari bën maksimumin në Elbasan, por ndalet te një barazim 1-1. Verdheblutë zhgënjejnë edhe në këtë ndeshje, duke ndërlikuar pozicionin e tyre. Në Durrës, Bylisi ka marrë goditjen përfundimtare, duke u rikthyer andej nga ka ardhur, një kategori më poshtë. Goli i Hysës në minutën e 79‘, ka venitur shpresat e ballshiotëve, edhe pse matematikisht janë ende në lojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›