Lumenjtë Drino e Vjosa përmbytin Gjirokastrën dhe Përmetin
Reshjet e shiut të rëna ditët e fundit kanë shkaktuar një sërë problemesh në rrethin e Gjirokastrës. Lumi Drino ka dalë nga shtrati ka përmbytur nënstacionin elektrik dhe ka bllokuar dy komuna, Lunxhërinë dhe Antigonenë. Për pasojë Gjirokastra, ka mbetur për 18 orë pa drita, ndërsa 27 fshatra mbeten të bllokuar. Probleme u hasën edhe në rrugën nacionale Gjirokastër- Kakavijë.
Ndërkaq, veç dëmeve materiale të konsiderueshme, reshjet e shiut kanë vënë në rrezik edhe jetën e disa udhëtarëve në aksin Gjirokastër - Lunxhëri. Dy automjete mbetën të bllokuara për disa orë pranë vendit të quajtur Ura e Aznakut. Ngjarja ka vënë në alarm forcat e policisë, repartin zjarrfikës dhe drejtuesit vendorë.
Por, reshjet vështirësonin operacionin e shpëtimit, pasi niveli i ujit arrinte në rrett 1 metër, duke mbuluar edhe mjetet. Operacioni zgjati më shumë se një orë, dhe fatmirësisht u finalizua me sukses. Ndërkaq, përmbytje janë shënuar edhe në qytetin e Përmetit. Fryrja e lumit Vjosa ka bërë që shumë rrugë të gjenden nën pushtetin e ujit. Probleme u hasën në lëvizjen e njerëzve dhe mjeteve.
Dalja nga shtati e lumit Vjosa dhe reshjet e dendura të shiut shkaktuan probleme edhe në rrugët nacionale.
Përmbytjet nga Lumejtë Drino dhe Vjosë këtë vit kanë shënuar problemet më të mëdha të viteve të fundit.