Mësues Psikologë! Absurdi i shkollave në kryeqytet
Të ndihesh emocionalisht keq! Të kesh nevojë për dikë, kur nuk ke dikë të afërt pranë! Problemet që shfaqin nxënësit thonë se janë pasqyra e familjes ku ata jetojnë. Ata shprehin në ambientin shkollor të gjitha përjetimet familjare, në të mirë dhe të keq. Për këtë arsye, në momente të vështira, ata kanë nevojë të flasim me dikë. Ti shprehin hallin që kanë! Kjo është një arsye se përse në shkollat perëndimore shërbimi i psikologut luan rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e nxënësve në mësime, gjë, që në shkollat shqiptare nuk vlerësohet si duhet. Në një udhëzim të Ministrisë së Arsimit të disa muajve më parë, ky dikaster premtoi se me fillimin e vitit të ri shkollor, çdo shkollë 9-vjeçare do të kishte psikologun përkatës. Madje, në këtë udhëzim thuhej se të gjithë psikologët që nuk kishin arsimin e duhur do të zëvendësoheshin me personel të kualifikuar dhe të aftë për të marrë përsipër përgjegjësitë. Për të parë nga pranë realizimin e premtimit të MASH, gazeta “Shekulli” bëri vetë një vëzhgim në disa shkolla të kryeqytetit, nga ku rezultoi se situata vazhdonte të ishte e njëjtë. Ramazan Fejzo, drejtor në shkollën 9-vjeçare “Vasil Shanto”, mohon që në institucionin që ai drejton të ketë psikolog, megjithëse kërkesa për të pasur një të tillë është bërë kohë më parë. “Na është premtuar”. Kaq di të thotë titullari i shkollës “Vasil Shanto” ndërsa pohon se problemet në këtë shkollë janë munduar që të zgjidhen nga mësuesit kujdestarë, së bashku me drejtorinë e shkollës. Por nxënësit e kanë të vështirë që për disa gjëra të flasin me mësuesit apo drejtorin, ndaj është e nevojshme prania e një psikologu. Dhurata Vata, drejtoreshë në shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” mohon të ketë psikolog në shkollën që drejton, duke ia vënë fajin për këtë situatë Drejtorisë Arsimore. Por edhe aty ku mendohet se ekziston psikologu vështirë se mund të hasësh një të tillë. Një nga këto shkolla është dhe “Sabaudin Gabrani” në kryeqytet. Drejtoresha e kësaj shkolle, Eva Hoxha, thotë se: “Kjo shkollë ka një psikolog që punon disa ditë në javë, pasi pjesën tjetër të kohës punon në një shkollë tjetër”. Megjithatë, kur i kërkojmë që ta takojmë psikologen ajo të thotë që kjo është e pamundur, sepse “Psikologia po punon dhe me një projekt bashkëpunimi dhe nuk ndodhet në shkollë”.