One Stop Shop jashtë loje, regjistrimi i biznesit është peripeci
Të regjistrosh sot një biznes të vogël nuk është aq e thjeshtë, dhe nuk duhet një ditë, as dy as tre por....
Pagesa e tatimeve të biznesit të vogël bëhet një herë në tre muaj. Data 20 tetor, kur është edhe afati i fundit për pagesën e këstit të dytë po afron, dhe bizneset e vogla që nuk janë regjistruar bëjnë mirë të nxitojnë pasi ditët e fundit janë shumë të ngarkuara dhe biznesi nuk mund të regjistrohet brenda ditës ashtu siç thuhet nga qeveritarët.
Po shkruaj më poshtë peripecitë e kaluara për të regjistruar biznesin tim para dy muajsh, rreth tre javë para datës 20 korrik, i cili është edhe afati përfundimtar për pagesën e këstit të dytë të detyrimeve.
Do doja ta tregoja historinë time nga fillimi në fund pasi mendoj se mund t’ju vij në ndihmë gjithë bizneseve të reja që kërkojnë të regjistrohen dhe që ashtu si unë mund të zhgënjehen nga “One Stop Shopi”...
Biznesi ishte i ri dhe sipas inspektorëve tatimore që vinin një herë në jave te dera, duhej regjistruar. Një grup inspektorësh kërkonte regjistrimin në tatime, tjetri në sigurime, secili për hesap të vet, asnjëri nuk dinte të të shpjegonte tamam procedurën.
Meqë kisha dëgjuar se ekziston një qendër ku bëhet regjistrimi i bizneseve u nisa për atje. Me të pyetur njerëzit arrita të gjeja QKR-në, dhe ishte pikërisht te bashkia. Mendova se me tu regjistruar atje çdo gjë do merrte fund, unë do merrja deklaratën dhe do paguaja.
Te QKR e famshme ishte thjesht një regjistrim formal që nuk e di çfarë vlere kishte.
Sapo dola te dera e QKR-së jashtë priste një zonjushë, e cila me shumë mirësjellje të kërkonte ti përgjigjeshe një pyetësori të përgatitur nga USAID.
Në fakt pyetet ishin a u regjistrove shpejt, brenda një dite? Sa kohë prite? A është hera e parë që vjen këtu? E të tilla si këto. Në fakt aty çdo gjë ishte shumë shpejt, sapo shkoje regjistroheshe nuk kishte asnjë problem... dhe unë u përgjigja pozitivisht gjithë pyetësorit, por sot e kuptoj se paskam bërë gabim pasikëtu fillon edhe peripecia ime.
Me këtë fletën që mora te QKR duhet të shkoja në ca zyra të tjera aty afër Bashkisë. Pyes njërën nga zonjat atje se çfarë duhet të bëj tani sepse me drejtuan këtu te ju? Ajo thotë ‘plotëso këtë formularin’. E marr ta plotësoj dhe formulari kishte pothuaj të njëjtat pyetje ashtu si edhe ai i QKR-së, pothuaj asnjë ndryshim.
E plotësoj dhe e dorëzoj atë formular dhe zyrtarja e Bashkisë më thotë që të shkoj sërish për të marrë deklaratën 3 ditë më pas. Shkoj tre ditë më pas dhe e marr atë dokument, i cili kishte të dhëna të detajuara për pagesën e detyrimeve bashkiake. Pyes zonjushën që ma dha se ku duhet të shkoj unë me këtë dokument tani? Përgjigja ishte: “Ku të duash detyra ime kaq ishte, të ta jepja”. !!! Shyqyr që aty jashtë kishte “biznesmenë” të vegjël si puna ime, me pak më shumë eksperiencë dhe më drejtojnë në një zyrë tjetër.
Shkoj atje për të bërë pagesën dhe i pyes çfarë duhet të bëj tani? !! A jam në rregull me pagesat. “Po më thonë në rregull, me bashkinë mbarove punë”.
Por prapë më gjenden në ndihmë njerëzit e shumë që prisnin jashtë. Njëri prej tyre më pyet. “I pagove sigurimet?” “Jo i them ç’janë këto ku duhet të shkoj?”. Më drejton për te Zogu i Zi te Sigurimet Shoqërore të Tiranës. Nisem atje dhe arrij pas një ore. E gjej dhe zyrën në katin e dytë ku kishte aq shumë njerëz sa ishte e pamundur të merrje vesh se çfarë po bëhej. Njerëzit që ishin aty më japin sërish të plotësoja një formular. Në sportel punonte vetëm një zonjë, megjithëse dyndja e njerëzve ishte shumë shumë e madhe. Më erdhi radha dhe mua dhe dorëzoj formularin që kisha plotësuar. I them çfarë të bëj tani? Do vish pas tre ditësh me thotë të marrësh numrin e sigurimit. Po i thashë kam dëgjuar se ka gjobë po kaloi data 20 korrik me 10 mijë lekë të reja”. “Unë nuk di gjë për gjobat” – më përgjigjet. “Unë di të jap vetëm numrin e sigurimit, dhe ai nuk del para të hënës”.
Shanci im pata një mik atje dhe e marr shpejt e shpejt numrin e sigurimit duke anashkaluar procedurën normale, për të pritur deri të hënën.
Aty pyes sërish një zonjë. Më thuaj i thashë ku të paguaj tani? Ik në tatime më thotë se të sqarojnë atje. Nisem për te tatimet dhe duke pyetur gjithë kalimtarët i gjeta më në fund ishin midis disa pallateve te 21 Dhjetori.
Aty jashtë kishte njerëz që plotësonin borderotë. Meqë isha e re vendosa ti plotësoj aty borderotë kundrejt një pagese 200 lekë të reja. Futem brenda te tatimet dhe radha sërish ishte më keq se te Sigurimet. Mundohem të gjej aty sportelin te i cili më drejtoi njëri prej punonjësve të tatimeve. Pasi e gjej ajo më plotëson faturën me të cilën duhet të shkoja në bankë ose postë për të paguar, ndërkohë që më shpjegon edhe procedurën e shkarkimit të deklaratës nga interneti në mënyrë që të shmangia tatimet herën tjetër. Nga nxitimi dhe njerëzit e shumtë, zonja ma kishte plotësuar deklaratën me emër tjetër për tjetër. Kur ika në shtëpi e shikoj gabimin dhe për të mos shkuar sërish deri te tatimet futem në faqen zyrtare të tatimeve (www.tatime.gov.al) për ta shkarkuar sërish dhe ta plotësoja vet ashtu siç më udhëzoi punonjësja e tatimeve.Por deklarata me NIPT-in tim nuk ekzistonte në website pasi numrat e rinj nuk ishin hedhur akoma...
Pyes kolege të mia financiere me telefon dhe më thonë se faqja do jetë shumë e ngarkuar pasi kjo javë është e fundit për pagesat. “Këto ditë nuk mund të printosh asgjë pasi ka dyndje” – më thonë.
Kështu detyrohem të shkoj sërish nesër te Tatimet ta plotësoj dhe njëherë atë deklaratë me të dhënat e sakta.... Por kompjuterët ishin bllokuar dhe nuk punonin... Iki për të shkuar te qendra e tatimeve tek Liqeni.... Ndërkohë kisha gjithë paraditen që isha larguar nga puna...dhe më thonë të shkoj të nesërmen pasi problemi nuk mund të rregullohej.
Pra e gjithë kjo histori zgjati më shumë se tre javë, dhe përveç kohës kalova edhe peripeci të tjera për shkak të mungesës totale të informacionit. Askund nuk ka një zyrë informacioni për të sqaruar biznesmenët e rinj se çfarë duhet të bëjnë të jenë në rregull me shtetin ... dhe mbi të gjitha nuk e kam kuptuar ende se çfarë vlere kishte One Stop Shopi...