MASH ha fjalën, nxënësit në radhë për libra
Java e dytë e shkollës. Nxënësit lenë orët e mësimit për t’u pajisur me tekste shkollore, kur procesi duhet të ishte mbyllur
Ministria e Arsimit dështon në shpërndarjen e teksteve shkollore, duke mos qenë e aftë të plotësojë në kohë kërkesat e nxënësve. Megjithëse, drejtues të këtij dikasteri kanë premtuar kohë pas kohe se në ditën e parë të shkollës të gjithë nxënësit do të ishin të pajisur me libra, kjo gjë duket se nuk ka ndodhur. Ditët e fundit, në disa nga libraritë në qendër të Tiranës janë parë radhë të gjata me nxënës dhe prindër të cilët kanë pritur me minuta të tëra për t’u furnizuar me tekste shkollore. Shkak edhe këtë herë i vonesës në furnizimin me tekste shkollore janë bërë shtëpitë botuese dhe mos koordinimi si duhet i punëve me Ministrinë e Arsimit, e cila në një deklaratë të sajën, jo më larg se dy javë më parë, u shpreh se me fillimin e vitit të ri shkollor nuk do të kishte asnjë nxënës pa libra. Por ja që nuk është kështu. Java e dytë të shkollës, konstaton nxënës dhe prindër të cilët lënë me pahir mësimin dhe punën për të siguruar libra, histori që, nëse do t’i besonim MASH, duhet të kishte marrë fund gjatë muajit gusht. Vetë nxënësit, të kontaktuar nga gazeta “Shekulli” thonë se janë detyruar të lenë orët e mësimit për të mbajtur radhë në librari, pasi në të kundërt mësuesit nuk i pranojnë në orën e mësimit. “Erdha në fillim të javës, por më thanë që libri që unë kërkoja nuk ndodhej në librari. Këtë gjë e bëra edhe pak ditë më parë, por sërish libri mungonte. Sot është e treta herë që detyrohem të shkëputem nga mësimi për të qenë në librari. Për fat të mirë, sot shikoj që libri që unë kam kërkuar ndodhet në librari, pasi tani edhe mësuesit nuk besojnë më por na thonë që shkoni gjeni librat ku të doni”,- thotë Klarisa, gjimnaziste, e cila mban në dorë librin e munguar të Kimisë. Në siklet janë edhe gjimnazistë të tjerë, të cilët “nuk i ha shumë meraku” të rrinë në radhë, por janë të detyruar të pajisen me libra. Ndryshe nga ç’trumbeton Ministria e Arsimit, ata janë më të drejtpërdrejtë në biseda dhe nuk përtojnë të shprehin shqetësimin që kanë. “Njëherë na mungonte Matematika. Njëherë tjetër mezi gjetëm Letërsinë. Tani më në fund po i marrim të gjitha tekstet”,- shprehet i lehtësuar një tjetër gjimnazist, i cili kërkon të mos e bëjë publik identitetin. Ndryshe ndodh me librashitëset që për hir të interesave nuk pranojnë të shprehen, duke u justifikuar me batutën, “Libra ka me bollëk, por faji është i prindërve dhe nxënësve që nuk erdhën në kohë për t’i tërhequr”. Nga kontaktet e vazhdueshme, mësojmë se kjo situatë do të jetë prezente në librari edhe gjatë javës në vazhdim, ndërkohë që mungon informacioni se nëse libraritë janë furnizuar me të gjitha tekstet shkollore apo jo. Në daljen e tij të fundit për shtyp, në lidhje me këtë çështje, ministri i Arsimit dhe Shkencave, Fatos Beja, në një llogaritje të bërë prej dikasterit që drejton, deklaroi se mungonin 23 tekste shkollore duke siguruar se gjithçka do të zgjidhej brenda afateve të parashikuara. Këtë shpresuan të gjithë, nxënës dhe prindër, ndërsa dëgjuan fjalën e kreut të Arsimit, ndërsa tani më shumë se fjalët flasin radhët nëpër librari, që tregojnë se në të kundërt nga çfarë pretendohet, edhe këtë vit, shitja e teksteve shkollore mund të konsiderohet strategji e dështuar e cila kërkon rishikim në vitet në vazhdim.