E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hidrokarburet alternative, të rritet më tepër akciza”

28/04/2010 Shoqata kërkon një rritje më të madhe për të bllokuar spekulatorët

Për të ndaluar spekulatorët në shitjen karburanteve me cilësi të dobët për shkak të përzierjes që i bëjnë me hidrokarbure alternativë, Shoqata e Hidrokarbureve kërkon që Ministria e Financave të rrisë akoma edhe më tepër akcizën për këto të fundit. Kjo shoqatë pasi është njohur me propozimin e ministrisë për ndryshimin e ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 “Për Akcizat”, i ndryshuar, lidhur me ndryshimet në sektorin e hidrokarbureve, propozon një sërë elementesh shtesë. Në njoftimin për shtyp thuhet se “për sa i përket hidrokarbureve, të cilët lehtësisht përdoren nga spekulantët si zëvendësues të naftës dhe benzinës në tregun e karburanteve, jo vetëm që mbështesim rritjen e akcizës, por do të propozonim që ajo të mos ishte më e ulët se 50 lekë për litër për gjithë llojet e gazoilit me përbërje të squfurit me tepër se 350 mg/kg. Po kështu edhe për vajgurin, vajrat e rënda që përdoren si lëndë djegëse si solar, mazut etj, vajrat lubrifikante, gjithë hidrokarbureve aciklike dhe ciklike. Ndërsa për naftën vergine akciza të mos jetë më e ulët se 70 lekë/litër”. Gjithashtu kjo shoqatë thekson se “politika e gabuar në taksim, e ndjekur në vite deri tani, ka bërë që shumë spekulatorë të përdorin këto elementë si zëvendësues të naftës dhe benzinës. Kjo situatë ka bërë që i gjithë tregu i karburanteve të ketë një imazh të keq në opinionin brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu përdorimi i këtyre zëvendësuesve ka bërë që t’u bëhet një konkurrencë e pandershme subjekteve që përpiqen të jenë korrekt me ligjin dhe konsumatorin si dhe të të dëmtohet rëndë buxheti i shtetit nga përdorimi si zëvendësues i këtyre elementëve në tregtimin e karburanteve.

Rritja

Ndryshimi i akcizës për këto kategori hidrokarburesh do të sjellë rreth 40 milionë dollarë më shumë në buxhetin e shtetit. Kështu, propozohet që për herë të parë nafta virgine të ketë një akcizë prej 70 lekë litri, kur sot niveli është zero. Tjetër propozim lidhet me karburantet, tip vajguri, që pritet të futen në listën e produkteve që duhet të paguajnë akcizë, në masën 20 lekë për litër.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›