E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hierarkizimi jo mbi vlera ka çuar në anarki

Autori i Lajmit: red.
Shoqëritë-paraindustriale
Nën qyrkun e shndritshëm të fisnikut, gjallonte i mençuri, i dituri dhe i virtytshmi, por jo rrallë vegjetonte edhe aventurieri i kalibrit të rëndë, sarhoshi me vetëdije përherë të turbulluar nga avujt e alkoolit dehës deri edhe handikapi fizik e mendor. Një hierarkizim i tillë i shoqërisë, mjaft i ngurtësuar, po ndrydhte gjithnjë e më shumë energjitë krijuese të shoqërisë, të cilat shpërthyen në prag të epokës moderne.

Hierarkia e socializmit
Hierarkia zyrtare përcaktohej kryesisht nga përkushtimi ideopolitik ndaj regjimit. Pjesa më e madhe e një hierarkie të tillë përbëhej përgjithësisht nga kuadrot administrativë dhe ideologjikë të strukturave drejtuese të shkollave të larta dhe të instituteve kërkimore- shkencore. Kjo pjesë e hierarkisë ishte mjaft e dukshme, pasi, siç thuhej me ironi në ato vite, “sfilitej në vendimmarrje dogmatike dhe duke qëndruar nëpër presidiume”.

Nga Prof. Zyhdi Dervishi
Fshatarë më pak të shkolluar, majde edhe analfabetë, që banojnë në fshatrat më të skajshme, në bisedat e përditshme, në ceremoni gëzimesh ose hidhërimesh, pasi artikulojnë shumë vërejtje për qeverinë (përgjithësisht bashkia ose komuna anashkalohet si diçka e parëndësishme), për Organizatën e Kombeve të Bashkuara ose për ndonjë organizëm tjetër ndërkombëtar e përfundojnë bisedën me frazën e tipiruar “po të jem unë president e zgjidh këtë problem kështu ose ashtu...”, “po të isha unë në krye të Organizatës së Kombeve të Bashkuara nuk do ta kisha bërë këtë ose atë gabim...” etj. Fshatarë të tillë nuk janë të vetëdijshëm se nga statusi i tyre, deri te statusi i presidentit dhe aq më larg te statusi i Sekretarit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara gjenden dhjetra statuse të ndërmjetme të përshkallëzuara, të cilat ata nuk mund t i arrijnë kurrë në jetën e tyre. Jo vetëm fshatarët, por përgjithësisht, shqiptarët i karakterizon ndjenja e krenarisë, e cila në mjedise, çaste e për probleme të caktuara, është boshe, e pajustifikuar. Një nga njohësit më të mirë të formimit psikulturor të shqiptarëve, Faik Konica ka shkruar se për shqiptarët “krenaria është një gjendje e mendjes, pavarësisht nga pasuria ose rrethanat” (Vepra, 1993, f. 432). Natyrisht shtrohet pyetja: Pse shqiptarët përgjithësisht e kanë mjaft të zbehtë ndjenjën e respektimit të hierarkisë? Studiues të huaj, përgjithësisht amatorë janë përpjekur të arsyetojnë se shqiptarët nuk respektojnë hierarkinë sepse nuk kanë aftësi shtetformuese. Një pohim i tillë është sa i pavërtetë, aq dhe antishqiptar.
Studimet komplekse ndërdisiplinore provojnë se kjo ndjenjë e shqiptarëve i ka rrënjët në veçoritë e zhvillimeve sociale, politike e historike. Për ta sqaruar më mirë këtë çështje, po kthehemi me vështrimin shqyrtues disi prapa në kohë, në hapësirat sociale europiane dhe atë shqiptare.
Diçka nga tradita perëndimore
Shoqëritë moderne demokratike dallohen nga shoqëritë tradicionale para-industriale, edhe për nga mekanizmat socialkulturore, që ndikojnë në mënyrën e formimit të hierarkisë së statuseve ekonomike, sociale, politike e profesionale të individëve, të grupimeve sociale. Në shoqëritë paramoderne shumë statuse sociale, politike e profesionale, individi i trashëgon që në lindje. Në mesjetën feudale, në shumicën dërrmuese të rasteve, fëmijët e zanatçinjve trashëgonin nga prindërit statusin profesional; fëmijët e bujkrobërve ishin të lidhur këmbë e duar me punët e mundimshme të bujqësisë, ndërkohë që të lindurit në familjet e fisnikërisë trashëgonin titujt dhe, bashkë me to, edhe “malet” me privilegje, pavarësisht nga aftësitë e tyre intelektuale.
Nën qyrkun e shndritshëm të fisnikut, gjallonte i mençuri, i dituri dhe i virtytshmi, por jo rrallë vegjetonte edhe aventurieri i kalibrit të rëndë, sarhoshi me vetëdije përherë të turbulluar nga avujt e alkoolit dehës deri edhe handikapi fizik e mendor. Një hierarkizim i tillë i shoqërisë, mjaft i ngurtësuar, po ndrydhte gjithnjë e më shumë energjitë krijuese të shoqërisë, të cilat shpërthyen në prag të epokës moderne. Shkallë-shkallë shoqëria moderne instaloi sistemin e hierarkizimit të statuseve profesionale, ekonomike, politike e social-arsimore të bazuar kryesisht në meritat vetjake, në punën gjithnjë më të kualifikuar dhe në përkushtimin ndaj përparimit të shoqërisë. Përvoja historike tregon, se një mekanizëm i tillë i hierarkizimit të statuseve ka funksionuar si gjenerator për përparimin e vrullshëm të shoqërisë moderne në të gjithë fushat e veprimtarisë, veçanërisht në atë arsimore, në krijimtarinë artistike dhe shkencore (Maconis, J., Sociology, 2005, f. 140-141). Shembulli më i spikatur i funksionimit me kapacitet të plotë të këtij mekanizmi hierarkiformues është shoqëria veri-amerikane, e cila në zhvillimin e saj nuk është frenuar nga mbeturinat e strukturave të organizimit feudal.
Shoqëria shqiptare, hierarki e deformuar
Kalimi i shoqërisë shqiptare nga faza e tradicionalizmit mesjetar në atë të modernitetit ka pasur veçori, të cilat së paku në disa rrafshe, janë mjaft problematike. Pushtimi i Shqipërisë nga Perandoria Osmane në shekullin XV, ndër të tjera, zëvendësoi hierarkinë e aristokracisë feudale të formuar natyrshëm në rrjedhën e disa shekujve, me një mekanizëm hierarkizimi, që bazohej kryesisht në sukseset e arritura në betejat ushtarake të shumta, të njëpasnjëshme. Ky hierarkizim ishte mjaft i brishtë, i përkohshëm. Në mjaft raste ngjitja e shpejtë në karrierën ushtarake, politike e administrative pasohej nga rrëzimi i menjëhershëm në varr, në internim ose në shkretëtirën e dëbimit. Sistemi feudal-ushtarak i instaluar në vendin tonë pengoi krijimin e një hierarkie sociale të qëndrueshme për rreth 5 shekuj. Ndërkohë, në zonat malore të papushtuara banonin fshatarë të lirë, të palidhur me njëri-tjetrin me sistemin e marrëdhënieve të vartësisë dhe të varfërisë feudale. Për çështje ekonomike nuk paguhej kurrfarë takse dhe tatimi. Të gjithë burrat konsideroheshin të barabartë përballë normave kulturore kanunore, si bajraktari ose burri më me autoritet në krahinë, ashtu edhe më i vobekti, si më i moshuari, ashtu edhe më i riu. Një nga njohësit më të mirë të sistemit të normave kulturore të shoqërisë tradicionale shqiptare, Frano Illia, për këto çështje, ndër të tjera, ka shkruar: “Gjaku i burrit nuk ka asnjë dallim mes të mirit e të keqit, të voglit e të madhit, parisë e vogëlisë, fëmisë e plakut”.
Shoqëria shqiptare hyri në rrjedhën e zhvillimeve demokratike ndërkohë që në modelimin e saj psikokulturor mungonte pothuajse fare ndjenja e respektimit të hierarkisë së vlertë, reale. Në rrethana të tilla, shoqëria shqiptare ndodhet përballë dilemës: ose të strukturohet mbi bazën e hierarkive reale të vlerave ose të përjetojë traumatizimin e gjendjes anarkike të tejzgjatur. Më konkretisht: ose të krijojë piramida të qëndrueshme të hierarkisë profesionale, ekonomike, politike, sociale e kulturore ose të përmbytet në baticën e anarkisë.
Hierarkizimi në arsim, bazë e çdo hierarkizimi të shoqërisë
Përvoja e mjaft vendeve demokratike të Perëndimit tregon se veprimtaria arsimore dhe kërkimore-shkencore mund të ristrukturohet më shpejt e më mirë sipas kritereve të meritokracisë. Konstruktimi i hierarkisë në këtë segment të shoqërisë ndihmon për krijimin e piramidave të hierarkive edhe në segmentet e tjera të organizimit shoqëror. Që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (1912), deri në ditët tona janë bërë përpjekje për krijimin e hierarkisë në këtë fushë. Me gjithë arritjet e pakontestueshme, ende nuk është krijuar hierarkizimi i qëndrueshëm i statuseve të personave të angazhuar profesionalisht në sektorin e arsimit dhe të studimeve. Deformimi problematik i hierarkisë, edhe në këtë fushë të veprimtarisë përcaktohet nga bashkëndikimi i disa faktorëve kryesorë politikë, socialë, historik, etj.
Hierarki e dyzuar nën trysninë e politikave dyzuese
Nga viti 1912 deri në vitin 1990, sidomos gjatë periudhës së regjimit socialist totalitar, hierarkia në arsim ishte e dyzuar, veçanërisht në atë universitar dhe në veprimtarinë kërkimore – shkencore. Hierarkia zyrtare përcaktohej kryesisht nga përkushtimi ideopolitik ndaj regjimit. Pjesa më e madhe e një hierarkie të tillë përbëhej përgjithësisht nga kuadrot administrativë dhe ideologjikë të strukturave drejtuese të shkollave të larta dhe të instituteve kërkimore- shkencore. Kjo pjesë e hierarkisë ishte mjaft e dukshme, pasi, siç thuhej me ironi në ato vite, “sfilitej në vendimmarrje dogmatike dhe duke qëndruar nëpër presidiume”. Ky segment kallp i hierarkisë përpiqej të përfitonte meritat e hierarkisë që krijohej, në kudhrën e vështirë të kërkimit, përpiqej të eklipsonte hierarkinë e vërtetë, në të cilën statuset më autoritare i zinin më së shumti të etiketuarit zyrtarisht si “njerëz me kleçka biografie”, si “njerëz me biografi të keqe”, si “distributorë potencialë të përhapjes së kulturës borgjeze” etj. Pas përmbysjes së regjimit socialist totalitar, pjesa ideologjike e hierarkisë në shkollat e larta dhe në institucionet kërkimore – shkencore u shkërmoq si duna të ngritura me rërë dhe mbeti vetëm hierarkia e ndërtuar nga pedagogët dhe shkencëtarët e vërtetë, të cilët përbënin, thelbin e qëndrueshëm të hierarkisë reale. Tashmë janë harruar të tërë emrat e “komisarëve” të hierarkisë ideopolitike, ndërkohë që janë rivlerësuar në dritën e plotë emrat që formojnë pjesën shkencore të hierarkisë reale si Eqerem Çabej, Aleks Buda, Mentor Përmeti, Mahir Domi, Petrit Radovicka, Shaban Demiraj etj.
Ky lajm është publikuar: 08/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›