E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa prindër, vajzat në kthetrat e prostituimit, djemtë në rrjetet e krimit

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Fëmijët e mbetur pa prindër, të lindur jetimë ose të braktisur, me kalimin e moshës së qëndrimit në konviktet e shkollave, mbeten në mes të katër rrugëve, të pastrehë. Ndonëse ka një vendim për mënyrën e trajtimit me strehim të të pastrehëve, i cili shprehet për detyrimet e shtetit për të zgjidhur problemin e strehimit të tyre, realiteti është i zymtë. Pjesa më e madhe e jetimëve, nëse nuk kanë të afërm, përfundojnë përsëri nëpër konvikte apo në banesa të tjera të papërshtatshme, shpesh marrin rrugët e emigrimit sepse mbi këtë tokë nuk kanë një çati mbi krye. Ta nisësh jetën si jetim është e dhimbshme, por ta vazhdosh si jetim është jo vetëm e dhimbshme por edhe e frikshme. Të mbetur pa mbështetje, të vetëm fillikat në botë, shpeshherë edhe të paarsimuar pasi u mungon ai mjedis që do t i motivonte për rezultate, plaga e të qenit pa prind nis e gangrenizohet kur kanë mbushur moshën që sipas ligjit duhet të lënë jetimoret (tashmë të quajtura rezidenca) dhe sidomos pasi kanë kaluar vitet e shkollimit parauniversitar. Amnesty Internacional përmes një studimi disavjeçar dhe intervistave të shumta të zhvilluara me jetimë në të gjitha jetimoret e Shqipërisë, sjell copëza të këtij realiteti të hidhur, ku përzihen kushtet e vështira të rritjes e më pas të strehimit me stigmën që i shoqëron gjithë jetën këta njerëz, dhe me predispozitën më të madhe se fëmijët me familje, për t u bërë kontigjent krimi: Sipas këtij studimi, rezulton se vajzat jetime kanë gjasa për të përfunduar të abuzuara seksualisht dhe për tu trafikuar, kurse djemtë, për t u përfshirë në rrjete keqbërësish. Në të vërtetë, është mungesa e vëmendjes dhe e përkushtimit ndaj tyre, fakti pse ata zgjedhin të jetojnë në një mënyrë të ndëshkueshme nga ligji, faji i vetë shoqërisë dhe i shtetit (pa shfajësuar këtu prindërit e tyre biologjikë dhe të afërmit e tjerë), por që gabimisht në popull krijon imazhin se këta janë të tillë sepse “nuk dihet se ç soj janë”. Kështu fajësohet gjenetika e tyre, në vend të faktit se, të jetuarit pa familje në vitet e fëmijërisë është një mungesë e madhe, një gropë kaq e madhe në mendjen dhe zemrën e secilit, saqë nuk mund ta mbushë asgjë tjetër në vitet e mëpasme. Amnesty Internacional” përmes intervistave edhe me drejtues të jetimoreve dhe të shoqatës kombëtare të jetimëve, sjell në vëmendje humbjen ose zbehjen e traditës së vizitave dhe marrjes për dreka e darka fundjavave të fëmijëve të jetimoreve, nga qytetarët. Humbja e kësaj tradite pozitive thekson izolimin social të tyre dhe i pengon të ndërtojnë konceptin e familjes (të cilën nuk e kanë njohur kurrë). Dhe një individ i cili nuk mund të ketë konceptin e familjes nuk do të dijë të jetë një qytetar aq i mirë. Mëkatet prindërore dhe ato shtetërore i vuajnë këta të pafajshëm, në një mënyrë apo një tjetër.

E ardhmja e jetimëve në prag të moshës madhore, e errët
Karta Sociale Evropiane e Rishikuar e Këshillit të Evropës kërkon specifikisht nga shtetet që të “mbrojnë fëmijët dhe të rinjtë nga neglizhenca, dhuna dhe shfrytëzimi” (neni 17.1b). Duke mos mbajtur parasysh këtë detyrim dhe detyrë kushtetuese për të siguruar “mbrojtje të veçantë” të jetimëve, shteti i lë ata të pambrojtur ndaj shfrytëzimit. Vajzat e reja jetime, në mënyrë të veçantë janë në shënjestër të trafikantëve, të cilët përfitojnë nga fakti që ato nuk kanë prindër që të përkujdesen. Papjekuria e tyre, nevoja e tyre për dashuri, për siguri dhe mirëqenie materiale, i bën ato pre të lehtë. Jetimët e tjerë mund të tërhiqen në botën e krimit. D. një djalë i ri, i tha Amnesty International: “Fillova shkollën e mesme, por nuk e mbarova asnjëherë. Iu futa drogës, e përfundova keq. Kam qenë në burg katër herë… Shteti nuk do t ia dijë për ne. Më vjen keq që të flas me këtë ton, por realiteti është që nuk ka shtet. Janë disa organizata jo-qeveritare të cilat na ndihmojnë jashtë mase.”Gjendja e jetimëve, në prag të moshës madhore, është shpesh e errët, sikurse përmblidhet nga ekspertët e Shërbimit Social të Ministrisë së Punës dhe Cështjeve Sociale:“Fëmijët janë të papërgatitur për jetë të pavarur pas moshës 18 vjeç; Nuk janë të siguruar me strehim dhe punë pas mbarimit të shkollës. Janë më të rrezikuar nga abuzimi seksual, shtatzania e hershme dhe përfshirja në rrjetet e trafikut dhe të prostitucionit.”
Pa shtëpi, prostituojnë për të siguruar strehën e premtuar
Një jetim në Shkodër u tha të dërguarve të Amnesty International se, sipas tij, vajzat jetime ishin më të pafatat: “Ato janë komplet të braktisura, situata e tyre është më e keqja, kalojnë nga njëra dorë në tjetrën.” Në prill 2005 Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Integrimit të Jetimёve, i alarmuar nga gjendja e jetimëve që jetojnë në konviktet e Tiranës, shumë prej të cilëve janë vajza, shprehu shqetësimin e tij. “Martohen mes tyre, madje dhe lindin fëmijë të paligjshëm, janë çdo ditë e më shumë të rrezikuar nga rrjetet e trafiqeve, të cilët kanë si synim pikërisht këtë kategori vajzash të reja të braktisura”. Ai shtoi: “Asnjë nga zyrat sociale nuk ka statistika sa fëmijë jetimë të moshës 14 vjeç e lart, enden konvikteve, sa prej tyre janë pre e trafiqeve, prostitucionit apo vjedhin, askush s e di gjendjen e tyre.”.Lidhja mes mohimit të së drejtës për një strehim të përballueshëm financiarisht, të sigurt dhe të përshtatshëm, dhe pozitës së pambrojtur të vajzave ndaj shfrytëzimit dhe abuzimit seksual ilustrohet nga shembulli i mëposhtëm. Në vitin 2001, një vajzë e re që ishte kthyer në Korçë pas gjashtë vjetësh jashtë shtetit, tha për shtypin: “Më thanë [trafikantët] se brenda një viti me të ardhurat e fituara nga prostitucioni do të kisha mundësi të blija jo një apartament, por një shtëpi. Ëndrrën nuk e realizova jo për një vit, por as pas gjashtë vitesh prostitucioni. Paret e mia mbushin xhepat e kapove të këtij trafiku. Më kanë rrahur, më kanë futur në vaskat e banjove me ujë të ftohtë, ndërsa këtë këtu e lanë si kujtim kur fsheha në të mbathura njëqind mijë lireta, (tregon një shenjë plage në kofshë të cilën pas çarjes me thikë ia kishin mbushur me kripë).”. Në vitin 2001 Mirash Zefi, kryetar i Shoqatës së Jetimëve në Korçë, u përpoq të njoftonte publikun, rreth faktit se në shtatë vitet e fundit, 15 jetime, vajza të reja, ishin zhdukur, si dhe për mundësinë që të paktën disa prej tyre ishin trafikuar për prostitucion të detyruar. Në atë kohë, 22 vajza thuhej se jetonin në kushte skandaloze në tre dhoma të një konvikti, duke mbijetuar me një asistencë shtetërore të pamjaftueshme. Tre prej vajzave ishin zhdukur në tre vitet e fundit; njëra prej tyre, një 15 vjeçare, mesa duket ishte joshur nga një i ri që i kishte premtuar se do të martohej me të, duke e shitur më vonë si prostitutë në Greqi. Vajzat e tjera të konviktit që kishin lajmëruar autoritetet, raportohet se ishin kërcënuar nga trafikantët: “Me zor nuk do të marrim asnjë prej jush, por po të jeni të zgjuara, duhet ta qepni gojën, ose do t jua qepim ne.” Megjithëse dy nëndrejtorë të konviktit kishin raportuar zhdukjen e vajzave në polici, u tha se autoritetet vendore nuk i kushtuan rëndësi çështjes me arsyetimin se vajzat ishin larguar nga konvikti me dëshirë. Në dhjetor 2006, një TV shqiptar që transmeton rregullisht një program të quajtur “Jetë në Kërkim”, i cili ndihmon njerëzit që të gjejnë anëtarët e familjes, publikoi rastin e 11 jetimeve, pothuajse të gjitha vajza, që ishin zhdukur në 10 vitet e fundit nga konvikti i shkollës “Demir Progri” në Korçë. Rasti më i fundit ishte një 20- vjeçare, e cila në tetor 2006 ishte zhdukur bashkë me fëmijën e saj 18 muajsh pa lënë asnjë adresë. Zhdukja e tyre do të ishte injoruar nëse Mirash Zefi nuk do të kishte kontaktuar stacionin televiziv. Siç komentonte një artikull i shtypit: “Fenomeni në vetvete sjell edhe realitetin e jetimëve në Shqipëri. Sheti merr përsipër rritjen e tyre deri në shkollë të mesme dhe më pas ata harrohen, duke iu dashur të përballen me realitetin mjaft të vështirë edhe për ata adoleshentë që i kanë prindërit dhe rreth të shëndosh familjar.” Më pas televizioni njoftoi Amnesty International që kishte arritur të gjente vetëm dy prej këtyre grave, të cilat jetonin të dyja në Evropën Perëndimore. Rrethanat e tyre të momentit janë të paqarta, por dukej se konfirmonin dyshimin se ato ishin detyruar t i nënështroheshin shfrytëzimit seksual.
Ky lajm është publikuar: 08/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›