E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jetimët: “Jemi edhe të përçmuar”

Autori i Lajmit: red.
“Kur s ke ngrohtësinë e nënës dhe babës është shumë e vështirë. Në Shqipëri të përbuzin shumë kur je jetim; të shohin me një sy tjetër …”B., jetim në moshë madhore
Të rinjtë e rritur në Shqipëri që nga fundi i regjimit komunist në vitin 1991 e arritën këtë moshë në një kohë tranzicioni të shpejtë, kaotik dhe nganjëherë të dhunshëm drejt një sistemi shumë-partiak dhe drejt ekonomisë së tregut. Për ta familja është tejet e rëndësishme si një burim qëndrueshmërie emocionale dhe mbështetjeje praktike. Shtëpia, edhe kur aty jetojnë shumë persona, siguron një strehë. Lidhjet familjare dhe farefisnore shpesh të sigurojnë punësim dhe jo rrallë luajnë rol në gjetjen e një bashkëshorti. Pa mbështetjen e familjes, jetimët janë mes anëtarëve më në nevojë të shoqërisë shqiptare. Gjendja e tyre qenësisht e pambrojtur mund të përkeqësohet nga faktorë të tillë si trauma të fëmijërisë, institucionalizimi dhe mospërgatitja siç duhet për një jetë të pavarur si të rritur. Përfaqësuesit e jetimëve dhe zyrtarët e qeverisë bien dakord se në përgjithësi jetimët nuk kanë rezultate të larta në shkollë dhe rrezikojnë të përjetojnë varfëri dhe përjashtim social. Jetimët në moshë madhore të intervistuar nga Amnesty International ishin të vetëdijshëm për mungesën e mbështetjes dhe dashurisë prindërore. Megjithëse legjislacioni shqiptar parashikon lirinë ndaj diskriminimit, ata i referohen shpesh “stigmës” së të qenit jetimë, të manifestuar në paragjykimet dhe stereotipet negative. Ashtu siç u ankua edhe një jetim i rritur: “Gjithashtu, ndaj jetimëve ekziston dhe një mentalitet përçmues, si njerëz pa prindër e pa edukatë, prej të cilëve gjithçka mund të pritet.” Sipas mendimit të një jetimi tjetër, stigma lidhet me një rënie të solidaritetit social në një shoqëri gjithnjë e më konkurruese. Duke konfirmuar pjesërisht këtë ide, drejtori i Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër, një jetimore për fëmijë nga 6 në 14 vjeç, informoi Amnesty International se në të kaluarën ishte e mjaft e zakonshme që familjet e vendit të ftonin rregullisht për vizitë në shtëpitë e tyre jetimët; në këtë mënyrë krijoheshin lidhje që zgjasnin. Ai komentoi se një gjë e tillë tani është më e rrallë. Rëndësia e këtyre kontakteve tregohet në komentet e bëra nga një jetim për familjen, e cila e mbajti afër kur ishte në shtëpinë e fëmijës: “Unë e vizitoj akoma atë familje. Prej tyre mësova ç ishte jeta familjare, lidhjet familjare dhe sjellja shoqërore.” Është e qartë, se pakësimi i këtyre kontakteve mes jetimëve dhe komunitetit më të gjerë pengon shoqërizimin e jetimëve dhe kontribuon në ndjesinë e tyre të përjashtimit.

Në hall për të krijuar familje
Mohimi i mundësive për strehim të përshtatshëm, ndikon negativisht mbi të drejtën për të pasur familje. Jetimët në një numër rastesh flasin me pesimizëm për shanset që të mund të gjenin një partner të qëndrueshëm dhe të krijonin familje. Ata thanë se si jetimë, pa shtëpi dhe punë të sigurtë, dhe pa mbështetjen e të afërmve, ata shikoheshin si prej partnerëve të mundshëm dhe prej familjeve të tyre si një barrë. Një jetim tha: “Edhe po të njohësh një vajzë që ka një familje, është shumë e vështirë që të ta varë. Ajo do të thotë: Ti je jetim, s ke ku të më çosh e të më mbash .” Disa vajza thjesht thanë: “Nuk na do njeri ne”.

Në bazë të nenit 20 të Kofit të Familjes:“Një fëmijë, të cilit i mohohet në mënyrë të përkohshme ose të përhershme mjedisi i tij familjar, ose që për të mirën e tij nuk mund të lejohet të qëndrojë në këtë mjedis, ka të drejtë për një mbrojtje dhe një ndihmë të posaçme nga shteti
Jetimët në përkujdesjen shtetërore
Në Shqipëri ka një presion shoqëror mbi të afërmit që të marrin nën kujdes fëmijët nëse prindërit e tyre kanë vdekur ose nuk janë të aftë të kujdesen për ta për çfarëdolloj arsyeje. Në disa zona, në rast të vdekjes së babait, nëna mund të kthehet në familjen e saj të origjinës dhe fëmijët mbeten nën përkujdesjen e gjyshërve ose të të afërmve të tjerë nga ana e babait. Si pasojë e kësaj tradite, ka shumë- pak fëmijë nëpër jetimore, për momentin janë rreth 500. Nga këta, rreth 400 janë në institucione shtetërore nën varësi të Ministrisë së Punës dhe Cështjeve Sociale, ndërsa të tjerët janë në institucione private që drejtohen nga OJF ose fondacione. Ka gjithsej nëntë jetimore shtetërore, që përkujdesen për fëmijë të ndarë sipas moshës (nga lindja deri në katër vjeç; katër deri në gjashtë vjeç dhe gjashtë deri në katërmbëdhjetë vjeç). Megjithatë, ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri në 17 vitet e fundit kanë pasur një efekt të fortë mbi martesën dhe solidaritetin familjar. Varfëria, emigrimi dhe lëvizjet e brendshme të popullsisë, si dhe ekspozimi ndaj roleve dhe vlerave të ndryshme sociale, kanë dobësuar lidhjet familjare. Dhuna në familje është dukuri e pёrhapur dhe gjykatat raportojnë se divorcet janë në rritje. Masat e Kodit të Familjes të cilat parashikojnë që në raste divorci, nënat që marrin kujdestarinë e fëmijëve, të rrinë në pronën e familjes ose që babai duhet të kontribuojë për kujdesjen ndaj fëmijës, nuk zbatohen siç duhet. Nëse babai nuk është në gjendje ose nuk do ta mbështesë familjen, nëna shpesh nuk ka mundësi që e vetme të përkujdeset për fëmijët; Mbështetja shtetërore (asistenca ekonomike) është e pamjaftueshme dhe diskriminimi ndaj grave në fushën e punësimit është mjaft i përhapur. Këto ndryshime pasqyrohen në profilin e fëmijëve që janë nën përkujdesjen e jetimoreve. Më parë, shumica e tyre qenë të ashtuquajturit jetimë “biologjikë” që nënkupton se u kishin vdekur të dy prindërit. Aktualisht, ka relativisht pak jetimë të tillë në shtëpitë e fëmijës, pjesërisht sepse për ta përkujdesen të afërmit dhe pjesë risht prej birësimeve. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e fëmijëve janë jetimë “socialë”. Ky term përfshin fëmijë të lindur jashtë martese, nënat e të cilëve nuk mund t i rrisin, fëmijë të braktisur nga prindërit dhe fëmijë të marrë nën përkujdesje me urdhër gjykate, për shkak se prindërit e tyre janë të paaftë që të përkujdesen për ta përkohësisht apo përgjithmonë. Në shumicën e rasteve të tilla, shkaqet e vendosjes së këtyre fëmijëve nën përkujdesjen shtetërore janë varfëria dhe faktorë të tjerë shoqërues si: emigrimi, zgjidhjet e martesës, sëmundjet mendore ose fizike, burgosja ose pasojat e dhunës në familje apo gjakmarrjes. Amnesty International është e shqetësuar se numri i këtyre jetimëve “socialë” thuhet se është në rritje.
Përgjegjësitë e institucioneve shtetërore për jetimët
Mbrojtja dhe ndihma e posaçme duhet të ofrohet deri në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare (një konsensus i përgjithshëm ndërkombëtar e ka vendosur moshën madhore në 18 vjeç) Ky detyrim pasqyrohet në Kushtetutën shqiptare, e cila garanton të drejtën e fëmijës për mbrojtje të veçantë (neni 54) dhe deklaron se është një nga objektivat socialë të shtetit të sigurojë përkujdesje dhe ndihmë për jetimët (neni 59). Kur një fëmijë vendoset nën përkujdesjen e një institucioni, ky institucion merr përsipër të ushtrojë përgjegjësitë e kujdestarit (neni 271 i Kodit të Familjes 2003). Neni 224 i Kodit të Familjes sqaron se në raste të tilla institucioni ushtron përgjegjësitë prindërore, të cilat përcaktohen në nenin 3: përgjegjësi për “për rritjen, zhvillimin, mirëqenien, edukimin dhe arsimin” e fëmijës.
Jetimorja, deri në moshën 14-15 vjeç
Tri vjet më parë (më 2005) ekspertët e Shërbimit Social Shtetëror të Ministrisë së Punës dhe Cështjeve Sociale, në një dokument që përcaktonte strategjinë e Shërbimeve Sociale për pesëvjeçarin në vazhdim, identifikuan një numër problemesh në lidhje me përkujdesjen për jetimët në institucionet shtetërore. Disa nga këto lidheshin me mungesën e investimeve në jetimore (cilësi e ulët e shërbimeve, infrastrukturës dhe personelit). Probleme të tjera lidheshin me çështje si transferimi i shpeshtë i fëmijëve nga një jetimore në tjetrën për shkak të ndarjes në bazë moshe; niveli i ulët i arritjeve në shkollë nga fëmijët; paaftësia për t i përgatitur ata për një jetë të pavarur dhe të qenit të pambrojtur ndaj abuzimit dhe shfrytëzimit seksual. Zgjidhjet kryesore të parashikuara ishin: mbështetje më e madhe tek përkujdesja e tipit familjar, përfshirë vendosjen e fëmijës në kujdestarinë e familjeve të paguara nga shteti dhe birësimin e hershëm, si dhe decentralizimi i shërbimeve sociale. Disa nga problemet e listuara në këtë dokument përbëjnë një dhunim të detyrimeve prej Shqipërisë për të siguruar mbrojtje dhe përkujdesje të veçantë për jetimët, por gjithashtu, më specifikisht, dhunime të së drejtës për të pasur një arsimim që do të zhvillojë “personalitetin, talentin dhe mundësitë mendore dhe fizike të fëmijës në gjithë potencialin e tyre” dhe për ta përgatitur fëmijën “për një jetë të përgjegjshme në një shoqëri të lirë” si dhe të së drejtës së fëmijës për t u mbrojtur nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual. Për më tepër, një numër jetimësh të rritur të intervistuar nga Amnesty International pretendonin se në të kaluarën, kur ishin të vegjël, ishin keqtrajtuar fizikisht nga personeli i jetimores ose nga fëmijët e tjerë. Duket se tashmë ka një sensibilizim më të madh përsa i përket gjendjes së pambrojtur të fëmijëve në jetimore, si dhe nevojës për të vëzhguar kushtet dhe trajtimin e tyre. Gjithsesi, shtypi ka vazhduar të raportojë herë pas here, pretendime sipas të cilave personeli i jetimoreve i ka keqtrajtuar fëmijët apo ka abuzuar seksualisht me ta. Një keqtrajtim i tillë është një dhunim i nenit 19.1 të KDF, i cili u kërkon shteteve të “marrin të gjitha masat legjislative, administrative, shoqërore dhe edukative për mbrojtjen e fëmijës nga çdo formë e dhunës fizike ose mendore, fyerja ose keqtrajtimi, braktisja apo mospërfillja, nëpërkëmbja ose shfrytëzimi, përfshirë abuzimin seksual, për sa kohë që ai është nën kujdesin e prindërve të tij ose të njërit prej tyre, të përfaqësuesit ose përfaqësuesve të tij ligjorë ose të çdo personi tjetër të cilit i është besuar.”
Ky lajm është publikuar: 08/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›