E Diel, 1 Nëntor 2026

Higjiena: Në 15 fshatra uji i pijshëm i ndotur

FIER - Banorët e rreth 15 fshatrave të rrethit të Fierit furnizohen me ujë të ndotur. Sipas analizave të kryera nga Drejtoria e Shëndetit publik, 

në ujësjellësit e zonave si Sektor Seman, Topojë, Mbrostar, Libofshë, Kallm, Ngjeqar dhe disa zona të tjera ka rezultuar se uji i pijshëm ka pasur mbetje nitriti dhe amoniaku. Shefi i Inspektoratit të Higjienës në Fier, Nuredin Kallashi, shprehet se edhe pse është nën kontroll për momentin, do të bëhen edhe një herë analizat. "Për momentin nuk duhet të përhapim panik. Në disa fshatra uji është paksa i ndotur, por pas klorinimit të tij situata është përmirësuar. Ne jemi duke bërë analiza në të gjithë zonën dhe ky proces do të vazhdojë përgjatë një jave, nga ku do të dalin edhe rezultatet përfundimtare", është shprehur Kallashi. Ndërkohë që banorët vazhdojnë të konsumojnë ujë të ndotur, duke rritur në këtë mënyrë rrezikun nga lëngu jetik. "Ka pothuajse një javë që edhe ato pak herë kur vjen uji, ai nuk është i pastër dhe nuk mund të përdoret as për të gatuar dhe larë rrobat. Vjen një erë e rëndë dhe ka një ngjyrë që zakonisht nuk e ka uji i çesmës. Mirë për të pirë jemi të detyruar ta blejmë ujin, por dhe për të larë rrobat nuk mundemi", ka pohuar një banore e fshatit të Seman. Pas gjithë verifikimeve dhe analizave të kryera në disa pika të rrethit, Inspektorati i Higjienës ka vendosur edhe gjoba për gjithë ata drejtues ujësjellësish, të cilët nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura për të klorifikuar ujin në kohën dhe sasinë e përcaktuar. Kallashi ka bërë të ditur se janë penalizuar me gjoba 10 deri në 50 mijë lekë rreth 17 drejtues, kryesisht në ndërmarrjen e ujësjellësit dhe atë të komunales. Sipas tij, këta drejtues të penalizuar të ujësjellësve kanë lejuar që në pika të veçanta uji i pijshëm të mos klorifikohet, ndërsa në sektorin komunal janë evidentuar mungesa në pastrimin dhe dezinfektimin e zonave që cilësohen si burim infeksionesh.           m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›