E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hilari Klinton: Kosova, demokracia më e re në botë

Sekretarja amerikane e Shtetit,
Hilari Klinton, ka rikonfirmuar
mbështetjen e Shteteve
të Bashkuara të Amerikës
për Kosovën dhe ka premtuar
se Uashingtoni do të angazhohet
edhe më tej për të siguruar njohje
të reja për shtetin e ri.
Klinton
Sekretarja e re amerikane përgëzoi
Kosovën në njëvjetorin e pavarësisë
së saj. Në një konferencë për
mediat, në Departamentin e Shtetit,
ajo e quajti Kosovën "demokracinë
më të re në botë". Sekretarja
Klinton i dha këto deklarata pas
takimit që pati me Presidentin e
Kosovës, Fatmir Sejdiun, dhe
Kryeministrin Hashim Thaçi. Ajo
tha se gjatë takimit kishin diskutuar
për sfidat ekonomike dhe
politike që e presin Kosovën. "Unë
u kam thënë se SHBA-ja do të
punojë me partnerët e tyre të BEsë
dhe do të vazhdojë me mbështetjen
për demokracinë më të re në
botë", deklaroi Klinton.
Sejdiu
Ndërsa Presidenti Sejdiu, në
emër të popullit të Kosovës, ka
shprehur falënderimin për mbështetjen
"e fuqishme e të gjithmonshme
që Shtetet e Bashkuara të
Amerikës kanë dhënë për Kosovën".
"Pa rolin e SHBA-së dhe të
aleatëve të përbashkët, Kosova
nuk do të ishte në këtë pikë të zhvillimeve
të saja politike", tha Sejdiu.
"Ne shprehëm në pika të shkurtra
zhvillimet e përgjithshme
që ka Kosova. Është një vit i pavarësisë
së saj, i gëzimit të qytetarëve
të saj, i gëzimit të fëmijëve të Kosovës.
Është një vit i dëshmimit të
saj, që është shtet demokratik, i të
gjithë qytetarëve pa dallim etnie",
theksoi Sejdiu.
Presidenti i Kosovës ka thënë se
nga sekretarja Klinton kanë marrë
konfirmimin se do të ketë mbështetje
për njohje të reja të pavarësisë
së Kosovës.
"Morëm një konfirmim të fuqishëm
për mbështetjen e Shteteve
të Bashkuara të Amerikës
në nxitjen edhe të miqve të tjerë
për njohjen e Republikës së Kosovës.
Një mbështetje për zhvillim
të shpejtuar ekonomik", tha Presidenti
Sejdiu.
Thaçi
Edhe Kryeministri Thaçi ka
shprehur mirënjohjen për SHBAnë,
për ndihmën që i ka dhënë Kosovës.
"Kosova është atdhe i gjithë
qytetarëve të saj me të drejta të
afirmuara për minoritarët. Në të
ardhmen shumë të afërt presim që
Kosova të jetë edhe anëtare e FMNsë
dhe Bankës Botërore", tha Thaçi.
"Pavarësia e Kosovës ka sjellë edhe
më tepër paqe, stabilitet dhe bashkëpunim
rajonal, si dhe perspektivë
evropiane", theksoi ai.
Lobimi
Sejdiu e Thaçi, pas sekretares
Klinton, u takuan edhe me nënpresidentin
amerikan, Xho Bajden.
Të mërkurën ata kanë pasur
takime me ambasadorë nga dhjetëra
shtete të Afrikës, Azisë,
Lindjes së Mesme dhe Evropës, si
Gaboni, Kenia, Sao Tome dhe
Principe, Bahreini, Katari, Arabia
Saudite, Ruanda, Togo, Iraku,
Franca, Papa Guinea e Re, Fixhi,
Japonia, Malajzia, Barbadosi, Vatikani,
Panama, Çekia, Britania e
Madhe etj.
"Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri
Thaçi kanë kërkuar nga diplomatët
ndërkombëtarë që shtetet
e tyre ta njohin sa më shpejt pavarësinë
e Kosovës", kanë thënë
zyrtarë të qeverisë në Prishtinë.
Takimet, që kanë për qëllim lobimin
për njohje të reja për Kosovën,
do të vazhdojnë edhe gjatë
ditëve të ardhshme, jo vetëm në
Uashington, por edhe në Nju Jork.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›