Mediu: Do të jemi në koalicion me PD-në
Republikanët njoftojnë zyrtarisht se në zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë në krah të Partisë Demokratike. Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, ka mbledhur anëtarët e kryesisë së republikanëve, kryetarët e asambleve rajonale dhe kryetarët e degëve të rretheve për të diskutuar mbi listat e deputetëve, me të cilën republikanët do të përfaqësohen në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryetari Fatmir Mediu ka bërë me dije se "brenda muajit mars, degët e partisë do të sjellin kandidaturat për anëtarë në Komisionet Administrative Zgjedhore. "Ne do të jemi në koalicion me Partinë Demokratike. Marrëdhëniet konkrete elektorale, si dhe veprimi politik në këto zgjedhje, ngelen për t‘u përcaktuar së shpejti", tha Mediu. Në fjalën e tij, kryetari i Asamblesë Kombëtare të PR-së, Sabri Godo, përmendi rëndësinë e mirë organizmit për të përballuar me sukses fushatën elektorale, si dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai përcaktoi afate kohore lidhur me kandidaturat për anëtarët e KZZ-ve, në respektim të afateve të Kodit Zgjedhor.