E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hillari Klinton: “SHBA, mbështetje për të drejtat e Klodian Çelës”



UASHINGTON – Çështja e Klodian Çelës mbërrin edhe në Uashington. Sekretarja amerikane e Shtetit, zonja Hillari Klinton, e ka trajtuar këtë rast në një takim për problemet e homofobisë. Gjatë fjalimit të mbajtur mbrëmjen e së martës në Departamentin Amerikan të Shtetit, sekretarja amerikane ka përmendur Shqipërinë ndër vendet ku është evidentuar diskriminim ndaj homoseksualizmit. Duke iu referuar rastit të Klodian Çelës, i riu që rrëfeu në një spektakël televiziv prirjet e tij seksuale, Klinton siguroi mbështetjen ndaj Klodit duke theksuar edhe angazhimet e ambasadorit Withers për këtë çështje. Zonja Klinton tha: “Një djalë i ri, i quajtur Klodian Çela, deklaroi në një emision shumë popullor në Shqipëri prirjet e tij seksuale. Pas kësaj, ambasadori ynë në Tiranë, John Withers, doli në televizion për të shprehur mbështetjen tonë për këtë djalë. Ai vizitoi qytetin e tij dhe e ftoi Klodianin në një eveniment në Ambasadën tonë atje, për t’u treguar të gjithë shqiptarëve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështetin guximin dhe të drejtat e tij”. Pas deklarimit të hapur në televizion të homoseksualitetit të tij, Klodian Çela u përball me protesta e kërcënime të njëpasnjëshme. Familja e tij u detyrua të largohej nga qyteti i Lezhës duke u shprehur se jetesa ishte bërë e pamundur mes presioneve dhe kërcënimeve të njerëzve.

24 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›