E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca belge: Po vizave me Shqipërinë, asgjë për statusin

Belgjika publikon prioritetet kryesore për zgjerimin gjatë presidencës së BE-së

Presidenca belge e Bashkimit Europian mund të mbyllë çështjen e vizave, por nuk ka parashikuar asgjë në lidhje me marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2010. Ky fakt është thënë nga ekspertët europianë gjatë vlerësimit të prioriteteve të Belgjikës në kryesimin e radhës së BE-së. Duke u ndalur te vendimi i pritshëm i shqiptarëve për lëvizjen e lirë në zonën “Shengen”, Pioter Kazinski (Piotr Maciej Kaczynski), analisti i Qendrës për Studimin e Politikave Europiane (CESP), thotë se Presidenca belge do ta mbyllë këtë proces, i cili është i lidhur edhe me zhvillimet rajonale, por edhe prej leksioneve të dala nga heqja e vizave me vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor. Në prioritetet e listuara nga belgët është edhe një marrëveshje për çështjen e Kosovës. Kryeministri belg, Leterme, ka paralajmëruar se përshpejtimi i zgjerimit të BE-së nuk do të varet vetëm nga meritat e vendeve që janë përfshirë në proces, por edhe nga “kapacitetet absorbuese” të vetë Bashkimit Europian.

Belgët, pro vizave
Belgjika do të mbyllë procesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën, por nuk do të ketë asgjë më shumë në lidhje me proceset e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, me përjashtim të Kroacisë. Analisti i CESP, Pioter Kazinscki, ka futur në filtër prioritetet e Presidencës belge, e cila pritet të nisë punën më 1 korrik të këtij viti. Ai ka hedhur poshtë idetë se Belgjika do të përpiqet të bllokojë bisedimet për liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit pas valës së azilkërkuesve shqiptarë gjatë muajve të kaluar. Sipas tij, Belgjika është shprehur se do të bëjë progres për çështjen e lëvizjes së lirë në zonën “Shengen” me Bosnjën dhe Shqipërinë. Një gjë e tillë është premtuar edhe nga kryeministri belg Leterme gjatë vizitës në Tiranë. Por, rruga do të jetë e hapur përsa u takon vizave, pas propozimit të Komisionit Europian më 27 maj të këtij viti dhe mbetet që Shqipëria të plotësojë edhe tri kushtet e fundit të Udhërrëfyesit, për të cilat Komisioni Europian pret monitorimin e procesit në momentin që qeveria shqiptare të jetë gati.

Po anëtarësimi?
Presidenca belge do të lëvizë në mënyrë të qetë në lidhje me politikën e BE-së për zgjerimin. Kështu e vlerësojnë ekspertët filozofinë që ka menduar të ndjekë kryesuesja e re e Bashkimit Europian për shtrirjen drejt Ballkanit. Në programin e saj nuk është cituar specifikisht zgjerimi mes prioriteteve kryesore, por Belgjika është shprehur në mënyrë të hapur se gjatë gjashtë muajve të ardhshëm do të ndihmojë Kroacinë dhe Islandën në arritjen e hapave të rëndësishëm përsa i takon kërkesës së tyre. Kroacia shpreson të mbyllë bisedimet e anëtarësimit në BE gjatë Presidencës belge, tani që ka përfunduar referendumi për çështjet e kufirit në Slloveni dhe kur autoritetet zyrtare të këtij vendi dhe të Holandës hoqën të drejtën e vetos për Kroacinë. Ndërsa Islanda do të nisë formalisht bisedimet për anëtarësimin gjatë gjysmës së dytë të vitit 2010.
Shqipëria ka aplikuar për të marrë statusin e vendit kandidat që në fundin e prillit të vitit 2009. Në nëntor Këshilli i Ministrave të Jashtëm i kërkoi Komisionit Europian që të japë opinionin e tij. Ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar iu dorëzua Pyetësori qeverisë shqiptare. Kryeministri Berisha dorëzoi më 14 prill përgjigjet e 2284 pyetjeve. Më pas, Komisioni dërgoi edhe rreth 170 pyetje të reja, për të cilat qeveria shqiptare ka përfunduar punën për përgatitjen e tyre. Zyra e KE-së në Tiranë ka lajmëruar se po punohet për të përfunduar opinionin dhe për t’ia paraqitur Këshillit të Ministrave të BE-së. Por, të gjitha institucionet në Bruksel, në të gjitha nivelet, kanë kërkuar zgjidhjen e krizës politike si një ndër kushtet e përcaktuara edhe në kriteret politike të Kopenhagës.
Shqipëria pret këtë periudhë vendimet më të rëndësishme nga Brukseli; vizat dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, por kriza politike në Tiranë po pengon përshpejtimin e këtyre dy proceseve.

Kryeministri belg: “Anëtarësimi, sipas meritës”

Yves Leterme, kryeministri në detyrë i Belgjikës, është shprehur tri javë më parë se zgjerimi do të jetë një “nga çështjet prioritare” për Presidencën e BE-së, ndonëse axhenda e politikës së jashtme pritet të mbizotërohet nga përpjekjet e BE-së për të vënë në zbatim shërbimin e ri diplomatik të bllokut. Leterme ka paralajmëruar se “anëtarësimi do të jetë i bazuar mbi meritën” dhe do të marrë në konsideratë edhe “kapacitetet absorbuese të Bashkimit Europian”, si dhe kapacitetet administrative të vendeve në proces anëtarësimi për t’u integruar në strukturën ligjore të BE-së. “Unë besoj se BE-ja, por edhe vendet e interesuara, do ta marrin seriozisht”, - është shprehur kreu i qeverisë belge, Leterme.
Belgjika pritet të marrë mbështetjen e Holandës, si dy vende anëtare të Beneluksit për politikat që do të ndjekë gjatë kryesimit të radhës së Presidencës së Bashkimit Europian. Spanja, Belgjika dhe Hungaria janë tri vende anëtare të BE-së që paraqitën në nëntor të vitit të kaluar një program të përbashkët, duke koordinuar prioritetet kryesore.

PRIORITETET E BELGJIKËS PËR ZGJERIMIN
1- Mbyllja e bisedimeve të anëtarësimit me Kroacinë
2- Nisja e bisedimeve për anëtarësim të Islandës
3- Mbyllja e liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën
4- Marrëveshje për Kosovën pas vendimit të GJND-së

Spanja, Presidenca që mbeti tek angazhimet

Ndonëse me shumë premtime, Presidenca spanjolle e BE-së shihet nga ekspertët si kryesuesja që mbeti vetëm në nivelin e angazhimeve. Teksa pritej mbyllja e bisedimeve për Kroacinë, liberalizimi i vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën, apo zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes Athinës dhe Shkupit, 6-mujori i saj në krye të BE-së nuk shënoi ndonjë hap të shënuar në lidhje me politikat e zgjerimit. Qysh në dhjetor ajo njoftoi një simpati dhe mbështetje të hapur për Serbinë dhe Malin e Zi, dy vende të cilat shënuan hapa përpara krahasuar me shtetet e tjera në Ballkanin Perëndimor. Gjatë kësaj periudhe u organizuan dy samite për rajonin; Takimi i Brdo-s, me iniciativën e Sllovenisë, i cili u konsiderua i pasuksesshëm për shkak të mospjesëmarrjes së Serbisë dhe të vetë Presidencës spanjolle të BE-së, dhe Samiti i Sarajevës, i cili, ndonëse mblodhi në tryezë krerët e diplomacive të vendeve të rajonit dhe përfaqësuesit e BE-së, SHBA-ve, por edhe të Rusisë dhe të Turqisë. Gjithsesi, edhe ky takim, i njoftuar me shumë bujë dhe premtime, u konsiderua si samiti i angazhimeve.

Austria: Vizat, vendimi në vjeshtë

TIRANË – “Jam e bindur se Shqipëria do të marrë në vjeshtë atë që pret nga Komisioni Europian, vendimin final për liberalizimin e vizave”. Kështu është shprehur ministrja e Brendshme e Austrisë, Maria Fekter, gjatë takimit që zhvilloi dje me homologun shqiptar, zotin Lulzim Basha. Burimet zyrtare të Ministrisë së Brendshme bëjnë të ditur se zonja Fekter ka shprehur mendimin se Austria mbështet liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian për qytetarët shqiptarë brenda këtij viti. Gjatë bisedimeve të zhvilluara mes dy ministrave u diskutua edhe bashkëpunimi në luftën kundër krimit dhe trafiqeve. Ministrja Fekter paraqiti gjatë takimit edhe ftesën që Shqipëria të bëhet anëtare themeluese e Akademisë Ndërkombëtare Antikorrupsion.
Ministrja e Brendshme e Republikës Federale të Austrisë pritet që të bëjë një vizitë në Qendrën e Personalizimit të të Dhënave të Dokumenteve të Identitetit, si dhe qendrat operacionale të përpunimit dhe analizës së informacionit kriminal dhe të sistemit TIMS.

24 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›