Himara, studentet protestojnë përpara SIGMA-s: Na jep paratë ose grevë
Tiranë- Studentet e aksidentit tragjik të Himarës, kanë protestuar sot në Tiranë përpara ambjenteve të kompanisë SIGMA për të kërkuar dëmshpërblimet që sipas tyre, ende nuk i kanë marrë që prej një viti.
Ne kërkojmë nga kjo kompani, që edhe pse po kalon një vit që nuk na ka dëmshpërblyer për dëmet që na janë shkatuar, të bëjë sa më shpejt procedurat për dëmshpërblimin tonë. A e di kjo kompani se 21 maji i vitit të kaluar shënoj një ndër aksidetet më tragjikë të ndodhur në Shqipëri, ku u mori jetën 11 shoqeve tona, të fejuarit të njërës prej shoqeve tona si dhe shoferit të autobusit? A e di kjo kompani se 22 maji i vitit të shkuar u quajt ditë zije kombëtare, në respect të viktimave dhe të të dëmtuarëve nga ky aksident? A e di kjo kompani se 26 studentet e tjera mbetën të plagosura me pasoja të rënda për shëndetin, që ende dhe sot nuk janë rikuperuar plotësisht? A e di kjo kompani që 3 studente kaluan një periudhë të gjatë në gjendje kome dhe 2 prej tyre u dërguan për kurim jasht shtetit? A e di kjo kompani se njëra prej shoqeve tona, studentja Florie Peci, është ende shtruar në spital, duke vuajtur pasojat e traumës që ju shkaktuan nga ky askident por edhe nga ngjarjet e turpshme që ndodhën më pas me të në Austri?,- janë pyetjet që kanë shtruar studentet në një deklaratë për media.
Ato theksuan se nuk do të largohen nga zyrat e kompanisë SIGMA, pa i dëmshpërblyer.
Ne nuk kërkojmë as më shumë e as më pak, por vetëm shumën që përcaktohet në ligj,- thanë ato, duke theksuar se në të kundërt ne do të ngujohen në grevë urie përpara zyrave të kompanisë.
Mendoni si për fëmijët tuaj, mendoni sikur më 21 maj të ishin gjithë fëmijët tuaj në një udhëtim me atë autobus dhe tu kishte ndodhur ajo që na ndodhi ne?! Çfarë do të kishit bërë ju të nderuar politikanë, deputet të parlamentit të Shqipërisë. Me siguri që ju do të ishit mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme dhe do t’i kishit hequr licensën asaj kompanie,- thanë studentet.