E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipokrizia e Sarah Palin

Edhe pse jetoj në një skaj të panjohur të Europës Lindore, e di se është e pamundur të largohesh nga mendimi që, duke shkruar në këtë hapësirë, unë u përkas "mediave të rrymës qendrore". Ndaj, ndihem e detyruar të përgjigjem ndaj mesazhit të Sarah Palin në ‘Facebook‘ më 4 korrik, gjatë të cilit, mes tjerash, ajo i sulmoi "mediat e rrymës qendrore", për shkak të reagimit të tyre ndaj lajmërimit të saj befasues. Lajmërimi i saj ishte pak a shumë i tillë: Do të jepte dorëheqjen nga posti i saj si guvernatore e Alaskës.

Reagimi që shkroi ajo ishte tejet i parashikueshëm, ironik dhe si gjithmonë i shkëputur nga jeta e amerikanëve të zakonshëm, të cilët janë të lodhur nga ‘politikat e shkatërrimit personal‘. "Sa pikëllueshëm", vazhdonte ajo, "që Uashingtoni dhe mediat kurrë nuk do ta kuptojnë". T‘i marrim këto komente një nga një. A ishte reagimi i mediave ndaj dorëheqjes së Palin "i parashikueshëm"? Është vështirë të shihet se si ka mundur të jetë: askush nuk mund të reagojë "parashikueshëm" ndaj një befasie totale dhe, në fakt, komentet fillestare ishin nëpër tërë vendin. E çfarë ka "ironike" këtu? Ashtu sikurse e thashë, shumica e "reagimit" përfshiu spekulime të tërbuara: A po e linte politikën përgjithmonë? A po e lançonte fushatën e saj presidenciale për vitin 2012? Apo ndoshta mund të jetë një skandal që po përvijohet?

Askush nuk e dinte, sepse vetë Sarah Palin përdori fraza të mjegullta dhe enigmatike për ta justifikuar vendimin e saj, "sepse është i drejtë", sepse "sakrifikimi i titullit tim i ndihmon Alaskës më së shumti", sepse ajo ka një "punë më të rëndësishme".

Por cila është puna më e rëndësishme? Nëse nuk na e tregon, ne duhet të hamendësojmë, apo të bëjmë shaka me këtë. Akuzimi i tretë i Palinit, se gjoja mediat janë "të shkëputura nga jeta e amerikanëve të zakonshëm", është më serioz, sepse lë të kuptohet se ajo është "e zakonshme", ndërsa njerëzit, të cilët formulojnë opinione rreth saj nuk janë. Duke pasur parasysh numrin e njerëzve, të cilët punojnë për "mediat" sot, shumica e të cilëve nuk mund të jenë të pazakonshëm dhe, fakti se jeta e Sarah Palin është mjaft larg nga të qenit "e zakonshme", kjo duket mjaft larg nga të qenit e saktë. Por sidoqoftë, unë vij në përfundimin se ka diçka në pikën e saj të katërt, kur thotë se ushtria e shkruesve, transmetuesve, bloguesve apo twittuesve, të cilët tani përbëjnë klasën e krijuesve të opinionit e me të cilët ajo gjithashtu komunikon drejtpërdrejt, janë kënaqur së tepërmi me politikën e shkatërrimit personal që nga lajmërimi i saj të premten.

Mirëpo duhet të theksoj këtu se reagimi në mesin e komentuesve, që nuk janë "rrymë kryesore", ishte shumë më shumë shkatërrues personalisht, sesa ai i profesionistëve të rrymës kryesore, që vazhdimisht janë më të paktë, kanë më pak ndikim dhe paguhen vazhdimisht e më pak. "The Washington Post", për shembull, që është pjesë e rrymës kryesore të mediave, publikoi të dhëna mjaft të drejtpërdrejta të dorëheqjes së Palinit. Por komentet e lexuesve në faqen e internetit të "The Washington Post", ku përgjigjeshin ndaj reagimeve të së nesërmes, shkonin nga hamendjet e ndyra (Palin ka varësi ndaj vëmendjes dhe i shfaq të gjitha shenjat e një të varuri të pashpresë"... "Nëse nuk mund ta përballojë punën e guvernatores së Alaskës, çfarë ju bën të mendoni se ajo mund të përballojë diçka më të vështirë"), e deri te komente që nuk mund të shtypen në një gazetë familjare.

Kishte edhe reagime të përkrahjes entuziaste gjithashtu, por Palin ka të drejtë për një gjë: asnjë dorëheqje e zakonshme politike nuk do ta inspironte cunamin e vërtetë të përbuzjes, i cili e ka vërshuar cyber-hapësirën gjatë këtyre ditëve të fundit. Por ndoshta shpjegimi për këtë qëndron në pjesën finale të njërës nga deklaratat e Sarah Palin: që "Uashingtoni dhe mediat" nuk mund ta kuptojnë vendimin e saj, sepse "ka të bëjë me vendin".

Me fjalë të tjera, gjatë nëntë muajve të kaluar, Palin u është shmangur pyetjeve të vështira, e ka tërhequr familjen e saj në qendër të vëmendjes kur i është dashur dhe është mllefosur kur vëmendja është bërë tepër e fuqishme; ajo i është shmangur arsyes dhe logjikës (e mos ta përmendim drejtshqiptimin dhe gramatikën), mirëpo reagoi e tmerruar kur kritikët e saj ishin të paarsyeshëm dhe jologjikë në reagimin e tyre. E pastaj, pas gjithë kësaj, ajo me vetëkënaqësi e merr të drejtën të vendosë se kush është patriot e kush jo. Nuk ka të bëjë me "vendin", me fjalë të tjera, por me hipokrizinë...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›