E Diel, 1 Nëntor 2026

Srebrenicë, përkujtohet masakra mizore e serbëve

Në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar më 11 korrik në qendrën memoriale Potoçar, me rastin e 14-vjetorit të masakrës më mizore në historinë bashkëkohore që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, në Srebrenicë, Serbisë iu dërgua përsëri mesazhi i një fqinjësie të mirë, pavarësisht kësaj ngjarjeje tragjike.

Anëtari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës (B-H), Haris Silajxhiç, në prani të mijëra njerëzve të grumbulluar me këtë rast, tha se "ishte shumë e rëndësishme që, edhe Serbia ta miratonte Rezolutën e Parlamentit Europian". Në këtë rezolutë u bëhej thirrje të gjitha vendeve të Europës që ta përkujtojnë 11 korrikun si ditën e kujtimit të Srebrenicës, "sepse kjo do të ishte edhe një nderim për viktimat, por edhe do të kthente shpresën tek e ardhmja e përbashkët në të gjitha këto hapësira".

"Fqinjëve tanë, sidomos serbëve, u dërgojmë ende mesazhin nga ky vend, se ne duam marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me ta, por kjo do të jetë e pamundur, sa kohë që Serbia të mos pranojë përgjegjësinë për krimet që ka kryer regjimi i mëparshëm dhe lë ende të lirë Mlladiçin. Pranimi i përgjegjësisë nuk është shenjë e dobësisë, por e forcës dhe e kurajës", theksoi Silajxhiç, i cituar nga media boshnjake.

Ambasadori amerikan në Sarajevë, Çarls Inglish, i pranishëm në ceremoninë përkujtimore në Potoçar, që në hyrje të qendrës memoriale kushtuar viktimave të pafajshme të gjenocidit serb, vuri në dukje se gjithçka që shihte përreth e përjetonte "me shumë emocion", duke theksuar se "do të ishte mirë që ngjarje të tilla të përkujtoheshin pa nota politike". Ambasadori amerikan, duke marrë fjalën në këtë ceremoni, iu referua fjalëve të Presidentit të SHBA-së, Barak Obama, se "ngjarjet e Srebrenicës janë një njollë e zezë në ndërgjegjen kolektive të njerëzimit. Duhet ta pranojmë se bota nuk bëri asgjë që ta ndalonte këtë masakër. Ata që mohojnë gjenocidin e Srebrenicës dhe që e minimizojnë atë, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e zmadhojnë edhe më shumë këtë njollë", theksoi ai.

Përfaqësuesi i lartë i OKB-së në Bosnjë-Hercegovinë, Valentin Incko, tha se në "Potoçar ndihet pafuqia" dhe se nuk kishte "fjalë që ta përshkruante dëshpërimin" që ndjente për krimet e kryera dhe viktimat e tyre. "E vërteta, drejtësia dhe jo hakmarrja duhet të përbëjnë rrugën drejt paqes. Sidoqoftë, monumenti më i madh kushtuar viktimave të Srebrenicës është e gjithë Bosnja dhe Hercegovina. Të gjithëve rahmetlinjve në Potoçari u uroj rahmet dhe xhenet", vuri në dukje Përfaqësuesi i Lartë i OKB-së, duke përdorur terma myslimane në këtë pjesë të fjalës së tij.

11 korrikun e 14 viteve më parë, forcat ushtarake serbe në Bosnjë, të kryesuara nga komandanti i tyre i asaj kohe, Ratko Mlladiç, kriminel lufte në arrati dhe i kërkuar tashmë nga Gjykata e Hagës, vranë më se 8 mijë civilë të pafajshëm, përfshirë edhe fëmijë.

Rrëfimi

Ish-ushtari: Nuk kishim mandat për të luftuar

11 korriku, një enigmë makabre

Henry van de Belt bënte pjesë në kontingjentin e helmet-kaltërve holandezë, që duhej të mbronin enklavën myslimane të Srebrenicës, vetëm përmes prezencës së tyre. Por serbët nuk u trazuan nga prania e misionit paqeruajtës. Ata morën Srebrenicën me forcën e armëve dhe holandezët, 450 ushtarët, vështronin duarlidhur. Të luftuarit, thotë Henry van de Belt, nuk ishte asnjëherë alternativë. Ushtarët kishin qenë të dobësuar. Nuk kishte ushqime, kishin pak karburant dhe batalioni ishte pakësuar. Ata nuk kishin mandat për të luftuar, tregon më tej Henry van de Belt. "Kampi ynë ishte i stërmbushur me refugjatë. Sikur të ishte marrë vendimi për të luftuar, atëherë për serbët do të kishte qenë e lehtë të na vrisnin të gjithëve. Do të kishte pasur më shumë viktima, shumë më tepër se sa janë vrarë", shton ai, 14 vjet pas masakrës së Srebrenicës.

Srebrenica është gjenocidi më i madh ndaj civilëve, që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. Pasi morën qytetin, serbët nën udhëheqjen e Ratko Mlladiçit i ndanë myslimanët boshnjakë. Gratë, fëmijët dhe pleqtë në njërën anë, burrat dhe djemtë në anën tjetër. Gratë i larguan me autobusë, të shoqëruar nga ushtarët helmet-kaltër holandezë. "Ne nuk kishim armë më. Megjithatë, jemi përpjekur t‘i mbronim njerëzit si të mundnim. Në gjysmën e rrugës djemtë tanë i nxorën nga autobusët, ndërsa ata duhet të ktheheshin në këmbë në kamp. Në anën e majtë dhe të djathtë të rrugës u nxorën gratë më të bukura, nga mosha 14 deri 30-vjeçare. Ata i morën pastaj në pyll dhe pjesën tjetër mund ta marrësh me mend...", tregon ai.

Johan de Jonge ka qenë atëherë vetëm 20 vjeç. Srebrenica ishte për ushtarin profesionist angazhimi i parë jashtë shtetit. Ashtu si shokët e tij, ai nuk ishte i përgatitur për atë që do t‘i priste në Ballkan: brutaliteti i serbëve dhe vrasja e tyre me plan. 8000 djem dhe burra myslimanë u bënë pre e serbëve në ditët e para të korrikut të vitit 1995. Disa u përpoqën të iknin në pyje dhe u vranë nga minat. Por shumica e tyre u ekzekutuan dhe u futën pastaj në varreza masive. Vrasja ishte e planifikuar mirë. Për të humbur gjurmët, kufomave iu ndërrua vendi disa herë në muajt më pas. Përreth Srebrenicës, vitet e fundit janë gjetur më shumë se 20 varreza masive.

Tmerrin e përkujton një marshim paqeje 100 km nga Tuzla në Srebrenicë. Në fund do të varrosen burrat, eshtrat e të cilëve janë mundur të identifikohen. Srebrenica vazhdon të jetë një enigmë makabre. Henry van de Belt dhe Johan de Jonge kanë qenë këtë vit në marshimin e paqes. Kryetari i Bashkisë së Srebrenicës i kishte ftuar ushtarët e dikurshëm të OKB-së. Disa burra holandezë e patën pranuar ftesën dhe shkuan në Bosnjë, për t‘i treguar popullsisë respektin e tyre. Vetëm se reagime miqësore nuk pati ndaj këtij gjesti pajtimi. Shumë boshnjakë reaguan keq kur holandezët treguan se ishin helmet-kaltër. Henry van de Belt e kupton psenë: "Le të më urrejnë. Ata nuk munden ndryshe. Sepse akoma asnjë gjeneral nuk ka thënë: unë jam përgjegjësi, unë e mora vendimin. Janë ushtarët dhe njësitë që kthehen, jo oficerët dhe gjeneralët".

Srebrenica nuk harrohet. As për boshnjakët që kanë humbur familjet e tyre dhe as për helmet-kaltrit holandezë, që janë kthyer të traumatizuar nga ky mision. Ajo që i bashkon është bindja që kryesorët e masakrës, Radko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç, të gjykohen sa më parë të jetë e mundur në Gjykatën e Krimeve të Luftës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›