E Shtunë, 31 Tetor 2026

"I damkosuri" shqiptar, në shkollat e Holandës

Gazeta e përditshme serbe "Kurir" shkruante këto ditë plot zemërim se mbas qeverisë së Holandës që kundërshton afrimin e Serbisë me BE-në, tani u rreshtuan edhe botuesit holandezë, madje duke shkuar edhe më larg, pasi nëpërmjet teksteve shkollore që publikojnë, u mësojnë nxënësve holandezë se serbët janë kriminelë dhe torturues fëmijësh! Sipas kësaj gazete, në tekstin shkollor të gjuhës amtare dhe letërsisë holandeze për nxënësit e vitit të dytë të shkollave të mesme të vendit, këtë vit shkollor është përfshirë një pjesë nga libri "I damkosuri" i shkrimtares amerikane Alisa Med, të cilën gazeta e mësipërme, si gjithnjë në kësisoj rastesh, po shkrove kundër Serbisë dhe serbëve e quan proshqiptare. Në pjesën e librit në fjalë, të botuar tashmë në Holandë, të përfshirë në tekstin shkollor përkatës, midis të tjerave tregohet se si ushtarët serbë damkosën në gjoks një kryq me katër S një fëmijë shqiptar. "Autorja, e cila shkruan në vetën e parë, që në fillim hedh tezën e pushtimit të Kosovës nga ushtria serbe", vë në dukje gazeta serbe "Kurir", duke cituar pjesë nga libri i lartpërmendur i shkrimtares amerikane. "Djali i vogël shqiptar, Ademi, me shokun e tij, Gregor, po luante futboll, kur vijnë dy ushtarë serbë. Ata fillojnë ta trajtojnë atë (djalin shqiptar) brutalisht, ndërsa e pyesin se ku ndodhet i vëllai i tij, i vënë pushkën te qafa, me të cilën ia ngrenë kokën që ai t‘i shihte ata në sy. Pastaj, pasi e godasin me pushkë, ai (djali) bie në tokë, ndërsa një nga ushtarët ia shtyp dorën, duke i vendosur sipër çizmen dhe djali ndjen se po i thyhet kocka. Ademi ka frikë se do ta vrasin, ndërsa ushtarët ia presin e ia heqin me thikë bluzën që kishte veshur dhe e kërcënojnë se do t‘i bëjnë edhe më keq", citon gazeta "Kurir" pjesë nga tregimi i shkrimtares Med, duke e vazhduar më pas citimin nga libri në vetën e parë: "M‘i shtypën të dyja duart me këmbë. ‘A e di ti se çfarë është kryqi serb‘? më pyetën ushtarët. Ai më i shkurtri u ul në gjunjë dhe filloi të më priste në gjoks me majën e thikës. Bëri një kryq ortodoks të madh dhe katër C (cirilike) në çdo cep të tij (kryqit) që është simbol i serbëve dhe që do të thotë ‘Samo Slloga Srbina Spasava‘ (Vetëm bashkimi i shpëton serbët). Kështu që mbeta i damkosur për të gjithë jetën", thotë djali shqiptar në tregimin e znj. Med.

Sipas gazetës "Kurir", ndaj tekstit shkollor të sipërpërmendur kanë reaguar ashpër diaspora serbe dhe Kisha Ortodokse Serbe në Roterdam përmes një deklarate, ku, midis të tjerave, vihet në dukje se "teksti nga libri ‘I damkosuri‘ nxit hapur dhe përhap midis fëmijëve urrejtjen kundër popullit serb dhe mbjell farëra të së keqes. Nuk e meritojmë të damkosemi dhe të satanizohemi as si individë dhe as si popull", shkruhet në deklaratën e mësipërme.

Shkrimtarja amerikane, Alisa Med, librin, titulli i të cilit në holandisht është përkthyer "I damkosuri", kurse në botimin origjinal në anglisht titullohet "Girl of Kosovo" (Vajza nga Kosova), e ka shkruar vite më parë dhe pikërisht këtu qëndron më shumë thelbi i zemërimit të opinionit dhe të medias serbe, se përse pjesë nga ky libër përfshihen në tekstet shkollore të shkollave të mesme të Holandës në vitin 2009. Për librin "Girl of Kosovo", shkrimtarja amerikane, Alisa Med, është vlerësuar nga Organizata e Bibliotekave Amerikane me çmimin e librit më të mirë të destinuar për rininë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›