Çenei mbajti të fshehur operacionin e CIA-s
Drejtori aktual i Shërbimeve të Fshehta Amerikane njoftoi disa anëtarë të kongresit se gjatë administratës "Bush", Dik Çenei, ish-zëvendëspresidenti i atëhershëm, ka urdhëruar që një operacion i CIA-s të mos i raportohej kongresit. Lajmi u konfirmua për rrjetin CNN nga një burim i besueshëm brenda Kongresit Amerikan. Lajmi për operacionin në fjalë është dhënë fillimisht nga "The New York Times", ndërkohë që Çenei nuk dha asnjë deklaratë lidhur me këtë temë gjatë ditës së djeshme. Kreu aktual i CIA-s u ka thënë pjesëtarëve se kjo agjenci "ka fshehur aktivitete mjaft të rëndësishme nga Kongresi, duke i drejtuar pjesëtarët e tij në rrugën e gabuar që prej vitit 2001". Në asnjë çast nuk është bërë i qartë operacioni dhe kush përfshihej në të, por sipas burimeve, bëhet fjalë për veprimtari antiterrorizmi të nisura pak pas sulmeve të 11 shtatorit. Operacioni qe ndërprerë dhe rinisur disa herë dhe më tepër është mbajtur rezervë për t‘u përdorur në çastin e volitshëm.