E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu në Ohër, "shkrihen akujt" me Maqedoninë

Duket se po marrin formë marrëdhëniet institucionale midis Kosovës dhe Maqedonisë, pas vizitës së Presidentit Fatmir Sejdiu në vendin fqinj, ku homologu i tij, Ivanov, i ka rezervuar një pritje zyrtare. Mbrëmjen e djeshme, Presidenti i Maqedonisë ka organizuar një darkë në Ohër, për nder të Presidentit të Kosovës, ku është diskutuar për marrëdhëniet mes dy shteteve, bashkëpunimin rajonal dhe disa tema të tjera me interes të përbashkët. Sipas kreut të shtetit kosovar, Maqedonia është një vend që ka dhe do të ketë një bashkëpunim shumëdimensional me Kosovën. Në vijim, ai uroi integrimin sa më të shpejtë të dy vendeve në NATO dhe BE. Nga ana tjetër, edhe Ivanov vuri theksin në bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.

Në këtë takim, që i parapriu hapjes solemne të manifestimit kulturor "Vera e Ohrit", ishte i pranishëm edhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Takimi i parë Ivanov-Sejdiu u zhvillua para tre javësh në Shqipëri. Ky takim u organizua nga Presidenti shqiptar, në përpjekje për të kapërcyer krizën diplomatike mes Shkupit dhe Prishtinës, pasi Presidenti kosovar nuk u ftua në ceremoninë e inaugurimit të Ivanovit. Në hapjen solemne të "Verës së Ohrit" ishin të ftuar edhe presidentët e Greqisë, Turqisë dhe Bullgarisë, por ata nuk i janë përgjigjur ftesës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›