“Hipokrizitë e Ramës cenojnë moralin e shoqërisë”

Fatbardh Kadilli, deputet i PD-së
Deputeti i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli e cilësoi sërish hipokrizi tentativën e Edi Ramës për të manipuluar ish të përndjekurit politikë.
Sipas tij, kjo shtresë ka mbështetur gjithnjë Partinë Demokratike, ndërsa e cilësoi imorale tryezën e Ramës, kur vetë ai duhet të kërkojë falje për krimet e komunizmit në Shqipëri.
“Këto shtresa janë shtresat që kanë mbështetur që nga fillimi PD-së pikërisht se tek kjo forcë politike kanë parë vetveten, kanë parë kujdesin për kompensimin e dëmit tragjik të diktaturës komuniste. PD ka qenë avokate e këtyre shtresave edhe kur nga e majta hapur apo nën zë përbuzeshin. Tryezat e Ramës, qofshin edhe të shoqëruar nga persona të keqpërdorur politikisht, janë hipokrizi që vret dhe cenon moralin e shoqërisë. Nga e majta edhe pse ka 20 vjet që ka rënë diktatura e tyre, ende nuk ka ardhur kërkesa e ndjesës për gjëmën që ka shkaktuar ndaj këtyre shtresave, nuk ka ardhur reflektimi, nuk ka ardhur ndryshimi i sjelljes”, tha ai.
Javën e kaluar, Partia Socialiste organizoi tryezën me ish të përndjekurit politik, ku akuzoi mazhorancën se s’ka bërë sa duhet për këtë shtresë. Por, për ironi të fatit dy kryesuesit e panelit të propagandës duke përdorur të persekutuarit e regjimit, janë pikërisht pinjollët e nomeklaturës, Edi Rama dhe Gramoz Ruçi, ky i fundit ish ministri i fundit i diktaturës komuniste. Ndaj Edi Ramës rëndon firma vrasëse e Kristaqit, ndërsa për Gramoz Ruçin janë ende të freskëta ngjarjet makabre të 2 prillit 1991 në Shkodër.