E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipoteka, 50 denoncime në Prokurori

• Banorë të kryeqytetit dhe tre komunave periferike kanë depozituar rreth 50 denoncime në Prokurorinë e Tiranës për punonjësit e Hipotekës.Burime zyrtare të organit të akuzës pohojnë se qytetarë të ndryshëm, pronat e të cilave janë zhdukur, fshirë apo mbivendosur, i janë drejtuar Prokurorisë me kallëzime penale. Denoncimet e tyre i janë bashkëngjitur 13 të mëparshmëve dhe janë bashkëlidhur në fashikullin hetimor në ngarkim të tre specialistëve të Hipotekës, të arrestuar 10 ditë më parë. Denoncimet janë depozituar në Prokurori përgjatë një jave, menjëherë sapo u bënë publike rezultatet e operacionit “Furtuna”, që dërgoi në pranga tre specialistët Artan Mehmeti, Ramiz Hykaj dhe Enton Babameto, dy sekserët Veiz Senko e Halil Hima, si dhe oficerin e SHKB-së, Dali Hakorja, i cili pretendon se është trashëgimtari i një sipërfaqeje 14 mijë metër katrorë të ish-parkut të autobusëve në rrugën e Kavajës.  Kallëzimet Pikërisht për këtë provë, të denoncuar nga një qytetar, që pretendon se është pronari real i saj, ranë në pranga tre specialistët e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, oficeri i SHKB-së dhe dy të akuzuar si sekserë. Hetimet paraprake të zhvilluara nga Prokuroria e kryeqytetit kanë nxjerrë se është provuar mbivendosja e pronës që pretendohet nga Hakorja mbi pronën e denoncuesit të tij. Edhe në denoncimet e tjera që kanë pasuar atë në ngarkim të të arrestuarve të fundit, pretendohet nga qytetarët se pronat e tyre janë mbivendosur nga regjistruesit duke i futur ata në konflikte. Nisur nga këto të dhëna, Prokuroria, pasi ka administruar kallëzimet penale ka nisur verifikimin e tyre nëpërmjet metodave hetimore, duke ngarkuar oficerët e Policisë Gjyqësore. Prokuroria pohon se një pjesë e mirë e pronave, për të cilat janë bërë denoncimet ndodhen në kryeqytet, në lagjet më të preferuara nga ndërtuesit dhe disa sipërfaqe të tjera në tre komunat periferike të qytetit të Tiranës. Sipërfaqja për të cilën pretendohet se është falsifikuar arrin në total në rreth 50 mijë metra katrorë.Hetimi Ndërkohë burime pranë hetimit të çështjes pohuan pak ditë më parë, se një biznesmen, i përfshirë në skandalin e falsifikimit të 14 mijë metrave tokë, do u jepte kapar 50 mijë euro punonjësve të Hipotekës, që do e kalonin pronën në emër të policit Hakorja. Tashmë gjashtë të prangosurit ndodhen në paraburgim në pritje të shqyrtimit nga Apeli të masave të sigurisë. Asnjë prej tyre nuk e ka pranuar fajësinë, ndërsa pohuan se konflikti i tyre me personin që pretendon se është pronar i sipërfaqes mund të zgjidhej civilisht në gjykatë. Prokuroria pohoi gjatë seancave të masës së sigurisë se në bazë të bisedave telefonike midis të pandehurve, të përgjuara në vjeshtë të vitit të kaluar, u siguruan mjaft prova shkresore që implikojnë gjashtë të arrestuarit. Në momentin e arrestimit të tyre policët gjetën mjaft dokumente, që mendohet se janë falsifikuar nga të pandehurit në mënyrë që të realizonin transformimin e pronës deri te polici Hakorja. Apelimi i arrestitGjashtë të arrestuarit e operacionit “Furtuna”; Artan Mehmeti, Ramiz Hykaj, Enton Babameto, Veiz Senko, Halil Hima dhe oficeri i policisë Dali Hakorja, kanë ankimuar në Gjykatën e Apelit të kryeqytetit masat e sigurisë arrest në burg të vendosur nga gjykata në mungesë pak orë para prangosjes së tyre. Të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre pretendojnë se janë të pafajshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›