Ceka: Rama si Enveri, më emëroi si deputet i Kuvendit
• PS-ja i ka ofruar partive aleate të tyre një vend në Parlamentin e ardhshëm, me qëllim që të mos bëhen pengesë në procesin e reformës zgjedhore.Deklarata më e ashpër në Komisionin parlamentar të Reformës Zgjedhore u bë nga ana e deputetit të PAD-së, Neritan Ceka. Ai akuzoi liderin e PS-së se i ka ofruar postin e deputetit, në këmbim që të mos bëhet pengesë për reformën zgjedhore. “Më duhet t’ju bëj me dije se e kemi marrë premtimin nga partitë e mëdha se jemi deputetë. Besoj dhe nga të tjerët mund të ketë ardhur dhe kjo ofertë. Po të ishte ashtu, ne kishim Enver Hoxhën që na diktonte, si premtimet e Partisë së Punës. Prandaj, ne nuk e kemi pranuar me përbuzje një ofertë të tillë nga politika e re”, deklaroi Ceka në komision. Ai theksoi se “emërimet që vijnë nga Partia e Punës kanë vdekur një herë e mirë. Ndaj ia kemi kthyer mbrapsht xhaketën e politikës së vjetër, atyre që janë përfaqësues të politikës së re. Këtu nuk bëhet fjalë për zënë një vend në Parlament, por për të mos deformuar sistemin e votës së lirë”. Ai i bëri thirrje anëtarëve të partive prezent të mos bien pre e këtyre ofertave. Një apel i tillë u drejtua veçanërisht për partitë e djathta. “Të mos preket pragu dhe të konkurrohet me lista të hapura. E ritheksoj se politika e re ka dhënë premtimin që ne të jemi në Parlament me pranimin e tyre. Por emërime të tilla të ngjashme me Partinë e Punës kanë marrë fund një e herë e mirë, kanë vdekur një herë e mirë”, tha më pas Ceka. PAD-ja i është kundërvënë ashpër qëndrimit të PS-së për reformën zgjedhore. Liderët e kësaj partie e kanë cilësuar Ramën si një njeri që po vepron njësoj si diktatori Hoxha. Një qëndrim i tillë erdhi disa ditë më parë nga kreu ekzekutiv i PAD-së, Arben Demeti. Partitë e vogla dyshojnë se PS dhe PD kërkojnë t’i shmangin dhe nga administrimi i procesit të zgjedhjeve, duke bërë që përbërja e komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta të zvogëlohet në minimum, duke hequr “qafe” të vegjlit.