E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikatat: Në protesta masive kundër varfërisë

• SHKODER – “Varfëria e kohëve të fundit po na detyron të dalim në protesta”. Paralajmërimin e bëri dje kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura në Shkodër, Albert Tukaj.“Në rast se situata ekonomike në qytetin e Shkodrës vazhdon të jetë e tillë dhe qeveria nuk e sheh të arsyeshme që të ndërhyjë, atëherë ne deklarojmë se nuk përjashtohet mundësia e protestave në shkallë të gjerë”. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Tukaj ka bërë publike edhe disa nga shkaqet e kësaj gjendjeje të vështirë ekonomike që po kalon rajoni i Shkodrës. Reformat e tejzgjatura, të cilat ende nuk kanë sjellë ndonjë ndikim pozitiv, shkurtimet nga puna në kundërshtim me ligjin dhe kodin e punës si dhe mungesa e hapjes së vendeve të reja të punës janë shkaqet sipas tij. “Askush gjer tani nuk ka dalë që të bëjë publike gjendjen e vështirë ekonomike në përgjithësi dhe të na prezantojë ndonjë  studim të saktë ku të na paraqiten rrugët dhe mënyrat sesi do të dilet nga kjo situatë”. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura nuk ngurron që të japë shifrën e papunësisë që sipas tyre arrin në 40 mijë personave ose e thënë ndryshe rreth 30% e numrit të përgjithshëm të popullsisë. “Kjo shifër nuk ka ndryshuar prej shumë kohësh, - ka pohuar Tukaj, - ç’ka tregon se aktualisht në rajonin e Shkodrës nuk kemi asnjë politikë për zbutjen e varfërisë apo në rastin konkret për uljen e numrit të të papunëve”. Nisur nga realiteti, BSPSH-ja ka kërkuar një vëmendje të të gjithë strukturave pasi gjendja po bëhet gjithnjë e më shumë alarmante, aq më shumë kur rritja e çmimeve ka kaluar çdo parashikim të mundshëm. Sipas Tukajt, protestat janë të pashmangshme.                   r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›