E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritol banesës së policit rrugor, dëme materiale

• Eksploziv shtëpisë së policit rrugor në Vlorë.VLORE/ QEMAL BIRAKUShpërthimi i fuqishëm ka tmerruar banorët e lagjes “Pavarësia”, në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Ka qenë ora 05:00 kur një sasi e konsiderueshme lënde eksplozive ka shpërthyer në katin e katërt të një pallati të kësaj lagjeje, aty ku jeton familja e Thoma Xhavarës. Si pasojë e forcës së eksplozivit është dëmtuar dera e jashtme e blinduar e banesës si edhe dyert e tjera të katit. Shpërthimi i fortë ka dëmtuar të gjitha orenditë shtëpiake duke i nxjerrë jashtë përdorimit, si dhe ka çarë muret e të gjithë hyrjes. Në kohën që ka shpërthyer lënda eksplozive e gjithë familja Xhavara ka qenë në gjumë. Mësohet se asnjë pjesëtar i familjes se efektivit rrugor nuk është plagosur nga ky shpërthim. Të lajmëruar nga banorët e pallatit, në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë si dhe ekspertët e Policisë Kriminale, të cilët kanë kryer veprimet e para hetimore. Sipas ekspertëve, lënda eksplozive ka qenë e llojit tritol, por nuk është përcaktuar sasia e saj, ndonëse nisur nga fuqia e shpërthimit dyshohet se ka qenë e konsiderueshme. Burime të Policisë së Vlorës pohojnë se po hetohet mbi shkaqet e ngjarjes së rëndë, për të arritur në zbulimin e autorëve të saj. Dyshohet se vendosja e lëndës eksplozive në banesën e punonjësit të Policisë Rrugore mund të ketë lidhje me detyrën e tij. Megjithatë nuk përjashtohet pista se autorët e tritolvënies mund të kenë gabuar objektivin. Vetë efektivi i policisë së qarkullimit, Thoma Xhavara u shpreh dje, se fati ka shpëtuar familjen e tij nga pasojat e shpërthimit. “Unë nuk kam asnjë armik, asnjë sherr, si dhe asnjë borxh askujt. Nuk di përse më është vendosur lënda eksplozive. Shpresoj që personat të kenë gabuar objektiv”, ka pohuar ai. Familja e punonjësit të policisë përbëhet prej 4 anëtarësh. Mësohet se Xhavara qëndron në detyrën e punonjësit të Policisë  Rrugore prej disa vitesh. Burime pranë Komisariatit të Policisë së Vlorës bënë të ditur se po punohet për identifikimin e personave që kanë vendosur lëndën eksplozive si dhe për kapjen e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›