Rama hap fushatën në Korçë: “Do të kemi prioritet punësimin”
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka çelur fushatën elektorale të PS-së në qytetin e Korçës, në një miting ku ka prezantuar edhe kandidatët për deputetë të kësaj force politike për këtë qark. Mitingun e çeljes së fushatës elektorale dhe paraqitjes së 12 kandidatëve për deputetë, Rama e ka quajtur një manifestim të politikës së re për ndryshim. "Sot është dita për t’u bashkuar edhe një herë në botën e madhe, në Europën ku do të integrohemi", - i është drejtuar kreu socialist qytetarëve korçarë, duke shtuar se "prioritet i programit të Partisë Socialiste është punësimi dhe bashkimi i shqiptarëve duke hequr kufijtë". Sipas Ramës, në vitin 2010 familjet shqiptare nuk do të jenë më të ndara nga kufij ku kalohet me viza, por do të lëvizin lirisht.
Pasi ka vlerësuar qytetin e Korçës si djep i qytetarisë dhe kulturës, lideri socialist Rama është ndalur në programin qeverisës të Partisë Socialiste, ku ka vlerësuar si pjesë të rëndësishme të këtij programi, zbutjen e varfërisë, hapjen e vendeve të punës, mbështetjen e bujqësisë si dhe zhvillimin e shëndetësisë dhe të turizmit.
6 Qershor 2009