E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga në Athinë autorit të masakrës së Qafë-Gjashtës



Tiranë – Më në fund, pas vitesh të tëra në kërkim, policia greke ka vënë në pranga një nga të dyshuarit kryesorë për masakrën e Qafë-Gjashtës. Ngjarja i takon 12 viteve më parë dhe lidhet me vrasjen e oficerit të policisë, Gjergji Mehmeti. Policia e Larisës ka pikasur bazën e Arben Këndezit, i akuzuar si një ndër autorët e masakrës së Qafë-Gjashtës dhe pas disa ditësh vëzhgim e ka arrestuar. Policia e Shtetit, në një njoftim për shtyp të shpërndarë dje, informonte se arrestimi i tij është bërë si rezultat i bashkëpunimit të Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tiranës me Interpol Athinën.
Arrestimi
“Shtetasi Arben Këndezi, më 4 mars të vitit 1997, në vendin e quajtur Qafë-Gjashtë të Sarandës, në bashkëpunim me shtetasit Vladimir Këndezi, Ristan Lapa, Agron Qurku, Aleksandër Bala dhe Alqi Paguni, kanë qëlluar kundër forcave të policisë duke vrarë oficerin e policisë, Gjergji Mehmeti”, - thuhet në njoftimin për shtyp të policisë. Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, me Vendimin Nr. 08, datë 20. 01. 2008, kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” në ngarkim të 41-vjeçarit për akuzën e “vrasjes për shkak të cilësive të veçanta, e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 79/C - 25 dhe 87 - 25, të Kodit Penal.
Dënimi i pakryer
Arben Këndezi akuzohet edhe si autor i grabitjes së Bankës së Kursimeve të Sarandës, ngjarje e ndodhur më 17 mars 1997. Sipas policisë, Këndezi, atëherë 29-vjeçar, në bashkëpunim me Flamur Këndezin, Agron dhe Janaq Qurkun, Artan Nebiun, Sandro Bollanon, Edmond Sejkon, Andrea Fotin, Vladimir Sinanin, Genci Bajramin, Ivan Veselin, Lefter Tushën dhe Gjergji Qysarin kishin grabitur shumën prej 26 milionë lekësh. Për këtë krim, Gjykata e Vlorës, me Vendimin Nr. 64, datë 08.07.1999, e ka dënuar shtetasin Arben Kendezi me 6 vjet burg, vendim i cili është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Vlorë me numër vendimi 118, datë 12.10.1999; gjithashtu, nga Gjykata e Lartë me Vendimin Nr. 143, datë 19.04.2000, parashikuar nga nenet 136, 25 dhe 50 të Kodit Penal.

Tiranë

Arrestohen për kontrabandë tre persona

Policia ka arrestuar dje tre persona pasi akuzohen për kontrabandë mallrash. Rustem Xhixha, 57 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Tiranë, punonjës pranë agjencisë së udhëtimeve “Klid Ballkan Interbus”; Sokol Osmani, 35 vjeç, lindur në Këlcyrë Përmet dhe banues në Ksamil Sarandë; Zyber Xhixha, 40 vjeç, lindur në Këlcyrë dhe banues në Krujë, punonjës pranë agjencisë së udhëtimeve “Klid Ballkan Interbus”, u kapën në rrugën “Karl Gega” në Tiranë duke transportuar mallra kontrabandë. Sipas policisë, mallrat vinin nga Greqia për në Shqipëri me autobusët e linjës së udhëtimit “Klind Ballkan Interbus”. Burimet saktësuan se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan, pantallona xhins 2903 palë, bluza dhe këmisha të llojeve të ndryshme 390 palë, çanta shpine dhe të thjeshta 163 copë dhe sete valixhesh 7 copë. Bazuar në prova dhe dokumente të sekuestruara do të hetohet në liri shtetasi Bernard Hamzaji, 31 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, me detyrë doganier në Doganën e Kakavijës.

Sarandë

Gjendet trupi i shoferit, u mbyt në Butrint

Kërkimet e gjata të nisura që dy ditë më parë kanë mundësuar gjetjen e trupit pa jetë të Flamur Hasanit, drejtuesit të kamionit që u fundos në ujërat e kanalit të Butrintit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes kur një kamion, teksa po kalonte kanalin e Butrintit me lundër, ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë në ujërat e tij duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të drejtuesit të tij. Bëhet e ditur se viktima ka qenë 40-vjeçari Flamur Hasani, banues në Ksamil, i cili rezulton të ketë qenë në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes fatale. Ai ka goditur drejtuesin e lundrës, duke shkaktuar në këtë mënyrë humbje ekuilibri dhe më pas aksidentin që i ka kushtuar jetën. Ndërsa kamioni u arrit të nxirrej pak orë më pas nga uji, dje u arrit të nxirrej edhe trupi i viktimës, duke i lënë kështu rrugë të hapur ekspertizës që të bëjë një analizë të të gjitha detajeve të kësaj ngjarjeje.

29 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›