Ushtarakët, kushtet dhe llogaritja për pensionet
Flet drejtoresha e përfitimeve në ISSH, Suzana Adili.
Çfarë ndodh me pensionin e parakohshëm kur rifillohet punë.
Kategoritë që përfshin ligji për sigurimin suplementar në skemën e sigurimeve shoqërore mund të përfitojnë pension të parakohshëm vetëm nëse plotësojnë disa kushte. Drejtoresha e përfitimeve pranë ISSH-së, Suzana Adili, sqaron për gazetën se cilat janë këto kushte që duhet të plotësohen. Nga ana tjetër ajo shpjegon edhe mënyrën se si llogaritet pensioni i parakohshëm. Për rastet kur përfituesi i pensionit të parakohshëm plotëson moshën për pension të plotë pleqërie, nga ana e ligjit i rezervohet e drejta për ta marrë atë. Nga ana tjetër, nëse përfituesi fillon një punë të re, që nuk lidhet me funksionin e tij të mëparshëm, pensioni i parakohshëm pëson ndryshim.
Cilat janë kushtet për të përfituar pension të parakohshëm, për vjetërsi shërbimi, kur ushtarakëve u shkurtohet vendi i punës si pasojë e zbatimit të reformave?
Në mbështetje të ligjit nr. 10142, Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakeve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shërbimit, Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në RSH, i ndryshuar, nenit 13 të tij, kushtet për të përfituar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, janë si mposhtë: Ushtaraku i Forcave të Armatosura, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shërbimit, Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në RSH/ në rezervë/lirim, të kenë mbushur moshën, femra 42 vjeç dhe meshkujt 47 vjeç, dhe të kenë vjetërsi në shërbim në këto struktura, femrat 12 vjet dhe meshkujt 15 vjet. Këtë përfitim, në kushtet si më sipër, nuk mund ta përfitojnë personat, karriera e të cilëve është ndërprerë kur ata kanë kryer vepra penale ose kanë kryer shkelje, që janë dënuar me masa disiplinore dhe si pasojë janë përjashtuar nga strukturat respektive ku ata kanë punuar. Gjithashtu, këtë përfitim nuk e marrin dhe në rastet kur karriera është ndërprerë si pasojë kur personi largohet me kërkesën e vet për të filluar një tjetër veprimtari ekonomike, ose për tu punësuar në një vend tjetër. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi nuk mund të përfitohet dhe për rastet kur personi dërgohet në një detyrë shtetërore më të lartë ose paralele, me pagë mujore jo më të vogël se paga që merrte në vendin e punës së mëparshme. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi merret mbasi personi të jetë trajtuar me pagesë kalimtare. Për rastet kur personi, për arsye e motive ligjore, nuk e ka përfituar pagesën kalimtare, pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi, nëse plotësohen kushtet ligjore, e fillon pas 24 muajve.
Si llogaritet shuma e këtij pensioni dhe a quhet vjetërsi në punë për pension pleqërie?
Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi llogaritet 1.5% e pagës mesatare referuese neto (mujore) për çdo vit shërbimi. Sipas nenit 23 të ligjit të sipërcituar, periudha e trajtimit me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi njihet si periudhë sigurimi, për efekt të përfitimit të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe familjar, sipas ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 Për Sigurimet Shoqërore në RSH, i ndryshuar.
Kur ushtarakët, të cilët përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, plotësojnë moshën për pension pleqërie, a marrin shtesë pensioni suplementar mbi pensionin e pleqërisë dhe si caktohet shtesa e pensionit suplementar?
Sipas nenit 15 të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, ushtaraku i Forcave të Armatosura, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shërbimit Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në RSH që përfitojnë pension pleqërie sipas ligjeve nr. 4171, date 13.09.1966 Për sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë dhe nr. 7703, datë 11.05.1993 Për Sigurimet Shoqërore në RSH, i ndryshuar, gëzojnë të drejtën e pensionit suplementar të pleqërisë. Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet: 1% e pagës mesatare referuese neto (mujore) për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50% e pensionit të pleqërisë, që përfituesi gëzon në çastin e lindjes së të drejtës për pension suplementar.
Në rastet kur ushtarakët dalin në rezervë, ripunësohen në punë shtetërore ose private, që nuk ka lidhje me profesionin si ushtarak, a i ndërpritet pensioni i parakohshëm? Po në rastet kur rikthehet sërish si ushtarak a merr rrogë dhe pension?
Referuar nenit 14 të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, kur përfituesi i pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi punësohet në vende të tjera pune që nuk lidhen me funksionin e tij të mëparshëm, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet sa një pension bazë, i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703 Për sigurimet shoqërore në RSH, datë 11.05.1993, i ndryshuar. Ndërsa për rastet kur personi rititullohet si ushtarak, punonjës policie, pra rikthehet në vendin e punës së mëparshme, ai nuk trajtohet me pension të parakohshëm, por me pagë mujore nga struktura ku rititullohet, pra domosdo duhet të ndërpresë përfitimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.