“Hipotekimi i apartamenteve do të marrë zgjidhje, problematikat krijoheshin artificialisht nga bashkia”

Arben Qirjako, kreu i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, flet për bashkëpunimin me bashkinë e Tiranës
Një problem i hershëm, siç është mungesa e hipotekave për banesat, është duke marrë zgjidhjet e para. Qeveria krijoi mundësinë e faljes së detyrimeve për ndërtuesit, të cilët kanë nisur tashmë të drejtohen në hipotekë për të ligjëruar subjektet e tyre. Nga ana tjetër, ardhja e kryetarit të ri të bashkisë në Tiranë, do të shtojë mundësinë e hipotekimit të atyre pallateve që ngeleshin peng i vendimeve të bashkisë.
Ndërkaq, tregu i pasurive të paluajtshme po merr frymë. Problemi i hipotekimit, për një masë të madhe të apartamenteve dhe banesave, pritet të marrë zgjidhje shumë shpejt.
Si një nga çështjet e lakuara më tepër gjatë fushatës, nga kryebashkiaku i ri i kryeqytetit, Lulzim Basha, ky proces do të vendoset tashmë në shinat e duhura. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga kreu i Zyrës Qendrore të Regjistrimit, Arben Qirjako, i cili thekson se një pjesë e madhe e problematikave, krijoheshin nga bashkia. Sipas tij, zgjidhjet e para, filluan që me zbatimin e faljes fiskale.
“Pushteti lokal të ndërhyjë në këtë mes, në ndihmë të qytetarëve dhe besoj që, kjo tashmë do marrë një drejtim në favor të qytetarëve, sidomos në kryeqytet ku fenomeni është masiv. Nëse do të shikonit problematikat më të mëdha që ne kemi, p.sh lejet e ndërtimit jepen nga pushteti lokal, lejet e shfrytëzimit jepen nga pushteti lokal, aktet e kolaudimit bëhen nga pushteti lokal dhe nëse ky bashkëpunim në konfirmim me dokumentacionet që do të vijnë në Zyrën e Regjistrimit, të jetë në kohën dhe mënyrën e duhur, besoj që subjektet ndërtuese apo dhe qytetarët do të kenë një shpejtësi shumë të madhe shërbimi”, shprehet kryeregjistruesi Qirjako .
Një tjetër çështje, ku është përqendruar aktualisht puna e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive është pikërisht përfitimi nga falja fiskale, për rivlerësimin e banesave.
“Nëse një qytetar ka privatizuar një banesë në vitin ‘91-’92, me një vlerë 20-30 mijë lek të reja dhe sot vlera reale e saj është 5 milionë lekë të reja për një apartament, në momentin që qytetari do ta shesë këtë apartament pranë zyrave vendore do të paguajë rreth 500 mijë lek të reja tatim për kalimin e pronësisë. Nëpërmjet këtij ligji qytetarit, ndërtuesit apo poseduesit që ka këtë pronë i lind e drejta të vlerësojë pasurinë dhe thjesht do paguajë 1për qind të vlerësimit dhe qytetari përfiton gati 10 për qind nga ligji që ka qenë”, tha më tej kreu i Zyrës Qendrore të Regjistrimit, Arben Qirjako.
Ligji i faljes fiskale dhe legalizimit të aseteve, nisi të aplikohej që nga muaji maj.
Kjo lejoi që të faleshin detyrimet e prapambetura për ndërtuesit dhe të hapej rrugë për hipotekimin e pallateve.