E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipotekimi i apartamenteve, gati nisja e procesit në Tiranë

SHKRUAN: Jonida Tashi 16-09-2011 12:00

Gati nisja e procesit të hipotekimit të apartamenteve që ende nuk kanë certifikata pronësie. Për hipotekimin e apartamenteve, aktualisht po punon intensivisht një grup i veçantë pune, për përpunimin dhe trajtimin e të gjithë dokumentacionit, me qëllim arritjen e këtij objektivi dhe procesi do të nisë së shpjeti. Këtë fakt e ka konfirmuar dje, vetë kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë një takimi që ai ka pasur me përfaqësuesit e Bankës Botërore, nga të cilët ka marrë edhe mbështetje për realizimin e projekteve të bashkisë. Gjatë takimit me përfaqësuesen e Bankës Botërore për Shqipërinë, Ksenja Lvovski dhe grupin e ekspertëve, u ra dakort për bashkëpunim në disa prej prioriteteve më të rëndësishme dhe problematikave më të mprehta që ka kryeqyteti. Ndërkaq, kryebashkiaku e njohu delegacionin e Bankës Botërore (BB) për punën që po bën grupi i ngritur për hipotekat dhe tha se procesi do të nisë së shpejti. Gjithashtu, Banka Botërore shprehu gadishmërinë për të ndihmuar Bashkinë e Tiranës në projektin për hipotekimin e apartamenteve që ende nuk kanë certifikatë pronësie. Ky është një nga premtimet që kryebashkiaku Lulzim Basha, bëri gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 Majit. Në fushatë, Basha premtoi se bashkia e kryeqytetit do të lirojë 700-800 milionë euro kapital të ngrirë, që vjen si pasojë e mungesës së hipotekimit të apartamenteve. Hipotekimi i banesave në kryeqytet është lajm i mirë për të gjitha palët e interesuara për këtë proces. Sipas përfaqësuesve të Shoqatës së Ndërtuesve, ky proces do t’i shërbente të gjithëve që nga qytetarët tek ndërtuesit dhe deri tek arka e shtetit, ndërsa do të nxjerrë në qarkullim miliona euro. Për këtë arsye është ngritur një grup pune nga institucionet që kanë lidhje direkte me këtë proces, që janë Bashkia e Tiranës, Ministria e Financave dhe ALUIZNI , por edhe me grupet e interesit që janë vetë ndërtuesit. Por, përveç mbështetjes për projektin e hipotekimit të apartamenteve, Banka Botërore ka mbështetur axhendën e kryebashkiakut Basha për punësimin e të rinjve, si dhe për krijimin e kushteve që ata të kryejnë stazhin pas diplomimit. Kryetari i Bashkisë i theksoi përfaqësueses së Bankës Botërore për Shqipërinë, Ksenja Lvovski, se ky është prioriteti numër një i bashkisë dhe i tiji personal. Po ashtu, Banka Botërore u shpreh e gatshme të kontribuojë dhe të marrë pjesë në projekte strategjike të bashkisë, si ndërtimi i bulevardit të ri të qytetit, deri tek Lumi i Tiranës. Për këtë çështje, Basha i tha delegacionit se ky aks do të rrisë cilësinë e jetës dhe do të nxjerrë nga kushtet e papërshtatshme një pjesë të rëndësishme të qytetit. Ndërtimi i parkut të ri tek Lumi i Tiranës është një prioritet i Bashkisë që u përfshi gjatë takimit në projektet ku Banka Botërore do të japë kontributin e saj. Më tej, Banka Botërore siguroi z.Basha se e sheh me interes ndërtimin e linjës së tramvajit në Tiranë dhe është gati ta mbështesë këtë projekt. Banka Botërore mbështeti projektin që ka Basha për hartimin e planit urbanistik për Tiranën dhe u shpreh e gatshme për të ndihmuar dhe për ta përkrahur këtë iniciativë. Në veçanti u përshëndet ideja e procesit transparent dhe respektimit të parimit të vlerësimit të drejtë të pronës private dhe përfitimit të hapësirave publike në shërbim të qytetarit.

Projektet që do të mbështesë BB

Hipotekimi i apartamenteve

Plani i ri urbanistik

Linja e tramvajit

Bulevardi i ri deri tek Lumi i Tiranës

Parku i ri tek Lumi i Tiranës

Punësimi i të rinjve

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›