Shqipëri-Turqi, marrëveshje të përbashkët
Kongresi XIX Botëror mbi Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, i mbajtur në Stramboll, në datat 11-15 shtator 2011, mbylli dje punimet, duke theksuar rëndësinë e forcimit të angazhimit nga të gjitha vendet për ndërtimin e një kulture globale të sigurisë dhe shëndetit në punë, e cila nuk duhet të cënohet nga sfidat e vazhdueshme të pasigurisë ekonomike globale. Takimi pesëditor mblodhi së bashku më shumë se 3000 politikëbërës dhe ekspertë industrialistë nga mbi 100 vende të botës, ndër të cilët, 35 ministra pune, të cilët diskutuan rreth marrjes së masave për rritjen e sigurisë e shëndetit në punë dhe forcimin e dialogut social e partneritetit në këtë fushë. Kongresi kërkoi që në çdo vend e drejta për një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm në punë të konsiderohet si e drejtë themelore e njeriut dhe të bëhen të gjitha përpjekjet që kjo e drejtë të përmbushet. Punimet e Kongresit i ndoqi edhe një delegacion i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, kryesuar nga ministri Spiro Ksera, i cili gjatë këtyre ditëve u takua dhe bisedoi edhe me homologun turk, z.Faruk Çelik. Dy ministrat ranë dakort të fillohet menjëherë puna mes ekspertëve të të dyja vendeve për hartimin dhe nënshkrimin në një kohë sa më të shkurtër të një marrëveshje të përbashkët në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. Rëndësi të madhe gjatë ditëve të kongresit mori diskutimi i raportit të fundit ILO-s “Për trendin global dhe sfidat mbi sigurinë dhe shëndetin në punë”. Raporti, edhe pse vlerësonte se ka pasur përparime të konsiderueshme në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë gjatë dekadave të fundit, theksonte se “recesioni global ekonomik duket të ketë pasur një ndikim të rëndësishëm në sigurinë e punëtorëve dhe të shëndetit e kushteve të tyre të punës”.