Hiqej si pasagjere, vidhte udhëtarët
Udhëtonte me furgonët e linjës Tiranë-Kavajë, duke u dhënë përshtypjen të tjerëve se ishte pasagjere, por në të vërtetë ishte e zënë me punë, vidhte bashkudhëtarët e saj. Kështu ka ndodhur me R.H., 28 vjeçe, nga Tirana, e cila përgjatë udhëtimit, piketonte “viktimën” e saj të radhës. Polica ka marrë denoncimin e një shtetasi dhe e ka vënë në pranga gruan e re, të divorcuar, pasi e provoi se vidhte pasagjerët në fugon. Zyrtarisht Drejtoria e Policisë së Durrësi konfirmoi se “më datë 17.07.2010 filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetases R.H., e datëlindjes 13.03.1982, banuese në Tiranë, e divorcuar, me arsim të mesëm, e padënuar më parë”. Po sipas të dhënave zyrtare, procedimi penal ndaj 28-vjeçares filloi bazuar në kallëzimin e bërë tri ditë më parë nga shtetasi T.Gj., 46 vjeç, banues në “Lagjen 18” në Durrës. Burime nga grupi hetimor bënë me dije se T.Gj., ka udhëtuar me fugonin e linjës Tiranë-Kavajë, me targa DR1156F, ku dhe 28-vjeçarja i ka vjedhur në xhepin e jelekut shumën prej 21 mijë lekëve, në kohën kur po udhëtonin nga Durrësi drejt Kavajës. 46-vjeçari e ka kuptuar se ishte vjedhur vetëm pasi gruaja e re ishte larguar nga fugoni, sepse e kishte arritur synimin e saj. Të dëmtuarit nuk i ka mbetur gjë tjetër veç ta denonconte vjedhjen në polici. Forcat e rendit nuk e kishin të vështirë identifikimin dhe ndalimin e të dyshuarës, pasi dëshmitë e pasagjerëve dhe shoferit të fugonit përshkruan saktë karakteristikat e saj. Policia tha se materialet hetimore iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale të vjedhjes.
#