E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblim 5 mijë euro për kapjen e Artur Lleshit

Tiranë

Policia e Tiranës ka vënë në dispozicion 5 mijë euro për çdo informacion që do të çojë në arrestimin e Artur Lleshit. Vetëm disa orë pas shpalljes në kërkim për 22-vjeçarin që akuzohet si autor i vrasjes së ndodhur mbrëmjen e së dielës në një nga lokalet në afërsi të Spitalit Ushtarak, uniformat blu nxitojnë ta vënë në pranga kundrejt shpërblimit, duke theksuar rrezikshmërinë e tij shoqërore. “Ky informacion mund të jepet në çdo rast duke ruajtur anonimatin, duke komunikuar përmes numrave të telefonik 0694102943/0694110202 dhe 129”, thuhet në njoftimin për shtyp të policisë së Tiranës. Viktima Gramoz Marku u qëllua me tre plumba në kokë dhe në gjoks. Marku kishte braktisur gruan me fëmijët në Lajthizë të Mirditës, për të bashkëjetuar me motrën e autorit, jashtë dëshirës së këtij të fundit. Mbrëmjen e së dielës viktima ishte në një tryezë të lokalit me bashkëjetuesen dhe vëllain e saj, i ardhur këtë javë nga Greqia. Në debat e sipër Lleshi e qëlloi Markun për vdekje me një pistoletë TT. Policia ka marrë në pyetje motrën, që ka zbardhur edhe detajet e ngjarjes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›