E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri i pakujdesshëm djeg barakat e romëve

Shkodër

Një zjarr i fuqishëm ka shkrumbuar rreth 15 çadra dhe tre baraka që banoheshin nga komuniteti rom në periferi të qytetit të Shkodrës. Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 19:00 të pasdites së djeshme, në vendin e quajtur Livade pranë lumit Buna në hyrje të qytetit të Shkodrës. Burime nga policia bëjnë të ditur se vatra e zjarrit fillimisht ishte krijuar nga disa banorë të zonës, që kanë qenë duke djegur goma makinash, prej të cilave do siguronin skrap, por për shkak të pakujdesisë, vatra e zjarrit e ndihmuar nga era dhe thatësira në zonë ka nisur të përhapet në territorin ku ata banonin. Të frikësuar nga flakët e zjarrit që përhapeshin me shpejtësi, banorët kanë braktisur çadrat duke kërkuar ndihmë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur zjarrfikëset dhe forcat e rendit, ndërhyrja e të cilave ka bërë të mundur që flakët të izolohen, duke mos lejuar që të përhapen në gjithë territorin ku banonte komuniteti rom. Nga zjarri i rënë nuk ka dëme në njerëz, ndërsa janë të konsiderueshme dëme materiale. Nga hetimet e para në vendin e ngjarje, grupi hetimor e ka klasifikuar atë si aksidentale.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›