E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku për prostitucion, 7 prangosen, 1 në kërkim

Policia zbulon bazën e trafikut të vajzave drejt Kosovës, si dhe shfrytëzimin si prostitutë të së miturës në Tiranë

Policia ka arrestuar shtatë persona në dy operacione antitrafik. Prej kohësh, uniformat blu të kryeqytetit ishin vënë në ndjekje të veprimtarisë së trafikantëve dhe pasi kanë siguruar provat e nevojshme, i vunë në pranga trafikantët dhe u kthyen lirinë katër vajzave, dy prej të cilave të mitura. Operacioni i parë ka lidhje me shfrytëzimin për qëllime prostitucioni dhe i dyti me trafikun jashtë vendit të vajzave, me qëllim punësimin e tyre si prostituta. Burime policore thanë për gazetën “Shqip” se falë operacionit të koduar “Ekstrem”, janë dërguar në qelitë e paraburgimit tre të rinj, pasi detyronin një të mitur nga Durrësi të ushtronte prostitucion. Tutorët prej disa kohësh e shfrytëzonin 15-vjeçare në periferi dhe në qendër të kryeqytetit. Kur kanë qenë të sigurt se vajza punonte për llogari të tre të rinjve, kanë ndërhyrë për të kryer arrestimin në flagrancë të Bledar Ukës 20 vjeç, Dritan Ukës 22 vjeç, si dhe 16-vjeçarit T.T., të tre të dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes. Burime nga grupi i hetimit thanë se këta të rinj kanë konsumuar veprën penale “trafikim të të miturve” dhe “shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese”.

Në një tjetër operacion, zyra e hetimit të trafiqeve në kryeqytet, pas një urdhri të lëshuar nga Prokuroria së Krimeve të Rënda, prangosi dje 3 persona dhe shpalli në kërkim një tjetër, të dyshuar për “përdhunimin” e një të miture dhe dy vajzave të tjera, që më pas do shiteshin për prostitucion në Kosovë.

Ishte operacioni i koduar “Premtimi” ai që solli edhe arrestimin për veprën penale të trafikimit të femrave të shtetasv: Zylyftar Tare dhe Ilir Saraçi, të dy 26-vjeçarë dhe banues në Tiranë, si edhe Agron Sinani, 25 vjeç, banues në Kukës, i dënuar me parë me gjashtë muaj burg për veprën penale të dezertimit nga shërbimi ushtarak. Po ashtu u shpall kërkimi për 25-vjeçarin Kudusi Hoka. Burime policore thanë se këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin po përpiqeshin të trafikonin drejt Kosovës 3 vajzat.

Policia tha se falë të dhënave operative ishin vënë prej kohësh në dijeni të planit të katër të rinjve. Nga vëzhgimet është zbuluar edhe vendstrehimi në Linzë të Tiranës i tri vajzave, respektivisht 15, 18 dhe 19 vjeçe. Banesa ishte në pronësi të Zylyftar Tares, ndërsa transportimin e të rejave nga Shqipëria drejt Kosovës dyshohet se Ilir Saraçi dhe Agron Sinani do ta realizonin në bashkëpunim me Kudusi Hokën. Këto ditë, të katër shtetasit po përgatisnin terrenin për të siguruar transportimin e tre shtetaseve në Kosovë, duke i kaluar në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinit.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe procedurale, materialet në ngarkim të shtetasve të arrestuar i kaluan Prokurorisë për Krime të Rënda dhe të rinjtë duhet të përgjigjen për akuzën e “Trafikut të qenieve njerëzore, me qëllim ushtrimin e prostitucionit” në bashkëpunim.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›