E Diel, 1 Nëntor 2026

Një i vdekur dhe dy të plagosur në aksidente

Korçë

Një person ka vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur si pasojë e aksidenteve në rrugët e Qarkut të Korçës. Një 74-vjeçare ka humbur jetën në fshatin Hoçisht të Devollit e përplasur nga motor. Një tjetër aksident ka shkaktuar plagosjen e një 30-vjeçari në fshatin Vashtmi në rrugën nacionale Korçë-Pogradec dhe plagosjen e një punonjësi policie. Burimet policore kanë thënë se ngjarja e parë rrugore ka ndodhur kur Endri Spirollari, 37 vjeç, duke drejtuar një motor pa targa ka shkaktuar përplasjen për vdekje të 74-vjeçares Fanika Bogdani. E moshuara ka përfunduar me një plagë në kokë pas përplasjes së fortë në asfalt dhe si pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa autori i këtij aksidenti është arrestuar nga policia. Për shkelje të rregullave të qarkullimit policia ka çuar për ndjekje penale në gjendje të lirë dhe një 22-vjeçar, që është bërë shkak për një tjetër aksident. Daniel Hoxhalli, nga fshati Vashtmi, ka qenë duke drejtuar një traktor me goma pa targa, kur ka aksidentuar një bashkëfshatar në rrugën nacionale. Policia ka thënë se i dëmtuari F.M., 30 vjeç, ka marrë plagë të lehta. Ai është përplasur me traktorin kur lëvizte me një motor. Ndërkohë në të njëjtin aks rrugor që lidh Korçën me Pogradecin është plagosur dje edhe një punonjës policie. Ilir Gjata, 40 vjeç, ka dalë nga rruga me mjetin e tij tip “Mercedes Benz”, pasi ka humbur kontrollin në drejtimin e mjetit dhe për pasojë ka marrë dëmtime dhe plagë. Aksidenti ka ndodhur në fshatin Sovjan dhe sipas policisë 40-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›