E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e vjetër e Kukësit, udhëtim mes lapidarëve që përkujtojnë vdekjet

Vetëm në një aksident në vitet ’70 vdiqën 20 adoleshentë, në një tjetër 16 studentë

Aksidenti tragjik i Gjegjanit të Pukës, ku humbën jetën 14 pasagjerë, na bën të reflektojmë për gjendjen e tërësishme të infrastrukturës rrugore, ku veçanërisht rrugë të tilla si ajo e Fushë-Arësit cilësohen nga njerëzit si “rruga e vdekjes”. Kjo rrugë e ka pasur këtë nam të keq që në vitet ’70-’80, kur numri i mjeteve që kalonin në të numëroheshin me gishtat e duarve. Mbase kjo rrugë nuk ka numrin më të madh të aksidenteve në Shqipëri, por me siguri ka rekordin e zi të numrit mesatar të viktimave për aksident.

Lapidarët e aksidenteve

Duke nisur nga Kukësi, përgjatë rrugës së vjetër drejt Tiranës, që deri para dy muajsh ka kaluar nga Fushë-Arësi, si askund tjetër në Europë “shenjat rrugore” të vdekjes të ngjallin frikën, pasi askush nuk është i imunizuar në rrugët ku ecim përditë. Rruga e vjetër e Kukësit që kalonte nga Fushë-Arësi ka numrin më të madh të kthesave për gjatësinë e caktuar, rreth 4 mijë të tilla, sa udhëtarët e huaj që e kanë përshkuar për herë të parë janë frikësuar për të mos u kthyer më. Le të shohim me nge aksidentet më tragjike të ndodhur në këtë rrugë. Sapo kalon urën e Drinit të Zi një lapidar në të majtë të rrugës të kujton se aty në vitin 1991 kanë vdekur 7 njerëz, pasi një automjet tip “Zis” u përmbys tek ura. Në atë kohë njerëzit udhëtonin edhe në karrocerinë e automjeteve që transportonin dru apo krom. Te vendi i quajtur Ura e Uzinës, në afërsi të Kukësit në vitet ‘80 gjetën vdekjen 10 persona, pikërisht nga rënia e një kamioni drush, por të ngarkuar me njerëz. Por le të vijojmë në drejtim të Tiranës. Në hyrje të Kukësit ndodhen disa kangjella hekuri me lule, e zhvendosur së fundi nga punimet e autostradës. “Aty ka vdekur një kosovar, ka rënë nën urë me një ‘Opel’” tregojnë punëtorët. Një drejtues i Entit të Rrugëve në Kukës, kur e pyetëm për lapidarët e rrugëve, tha se nuk dinte çfarë të bënte me to, pasi nuk parashikohen në Kodin Rrugor, të vendosen ashtu siç janë nëpër rrugë. “Nuk e kam idenë se përse duhen këto lapidare derisa shoferët nuk marrin mësim”, tha drejtuesi i Ndërmarrjes së Rrugëve.

Duke ecur më tej, vetëm disa metra, sheh lapidarin tjetër, më tej akoma dy të tillë... derisa te një tjetër lapidar tepër i dhimbshëm në afërsi të Shëmrisë tregon se një aksident me autobus pasagjerësh në fund të vitit 1997 u mori jetën 5 personave. Autobusi po udhëtonte për Shkodër me studentët e korrespondencës. Ja çfarë shkruhet në epitaf: Kur malli t’ju marrë/mua për të më parë/ejani e më shikoni/këtë vend ta mallkoni. Fotografia tregon një djalosh, i cili vdiq ende pa i mbushur 34 vjetët.

Lapidarë të panumërt gjenden në gjithë aksin deri në Fushë-Arës, ku një reliev relativisht i ri tregon aksidentin tragjik të pak viteve më parë, prej të cilit nga rënia e autobusit në lumë humbën jetën 15 studentë nga Malisheva e Kosovës. Më tej akoma, në Shpal të Mirditës një aksident i vitit 1975 u ka marrë jetën 16 studentëve nga Tropoja që po ktheheshin nga një aksion rinie të asaj kohe. Duke zbritur drejt fushës në afërsi të Milotit, një kamion i ngarkuar në karroceri me nxënës konviktorë të Kukësit është përmbysur në rrugë dhe u ka marrë jetën 20 adoleshentëve... “Ne asnjëherë nuk e kemi çmuar jetën, jo vetëm shoferët, por që të gjithë, edhe pasagjerët, ia vlen të udhëtosh në këmbë se sa të vdesësh kështu, kaq shumë vdekje në kaq pak km rrugë, Zoti na ruajttë”, tha një pasagjer, një mësues në pension.

Lapidarët e plumbave

Rruga Kukës-Tiranë është dëshmitare e krimeve nga më të pashpirtat të ndodhura ndonjëherë. Grabitjet në vitin 1997 dhe nja dy vite më pas qenë kthyer në sport për një numër gangsterësh që qarkullonin nëpër vend. Diku aty afër fshatit Shëmri është një tjetër lapidar, i cili përkujton dy vëllezër nga Peja. Ata po ktheheshin nga Perëndimi drejt Kosovës në luftë, në fillim të vitit 1999.
Ngjarje të tilla e kanë bërë këtë rrugë tepër të njohur në ato vite, por rruga ruan kujtime të tilla edhe më herët, duke e merituar cilësimin e frikshëm “rruga e vdekjes”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›