E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitarët: Si na plagosën bashkë me Lul Berishën

Bandat e Durrësit, dëshmojnë në gjykatë miqtë e kapobandës: Na qëlluan teksa po pinim kafe

Disa vjet pas kthimit nga Italia dhe lëvizjeve me makina të blinduara me një grup të madh shoqëruesish, më 5 maj 2005 Lulëzim Berishës i kryhet një atentat para lokalit në pronësi të familjes së tij. Si pasojë e disa plumbave pistolete që u shtinë nga një i ri që nuk të linte hije dyshimi për atë që do të bënte, Berisha, bashkë me dy miq të tij, mbetën të plagosur, ndonëse pa rrezik për jetën. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00, para picerisë “C’era una volta”, pranë ish-fermentimit në Durrës. Megjithëse në atë kohë kishte një numër të madh kalimtarësh, autori është afruar qetësisht dhe pasi ka nxjerrë armën e zjarrit nga poshtë xhaketës, ka qëlluar 8 herë drejt një tavoline të vendosur në ambientet e jashtme. Lulzim Berisha ishte në prani të kushëririt të tij, Isuf Morina, si dhe të një shoku, Kujtim Haxhiajt.

Dy të fundit, për të zbardhur këtë ngjarje, janë thirrur dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku janë pyetur nga prokuroria e gjykata. Morina, djali i hallës së Lul Berishës, tha se ditën e ngjarjes ka qenë duke pirë kafe me të dhe Kujtimin. “Duke bashkëbiseduar jemi qëlluar me pistoletë, ku unë në atë moment kam ngelur i plagosur. Kur kam rënë në tokë, kam arritur të shikoj se ishte një personi meso burrë ai që na qëlloi. Këtë person unë nuk e njihja, ai ishte i fshehur pas tre grave dhe prej atij pozicioni na qëlloi disa herë. Lidhur me ngjarjen kam biseduar me Lulin, por edhe ai nuk dinte gjë për autorin”, deklaroi Morina dhe pas kësaj dëshmie është ngritur i pandehuri Altin Olloni, i cili akuzohet për këtë atentat dhe e ka pyetur dëshmitarin nëse ky i fundit e kishte parë atë, por gjykata nuk e ka pranuar pyetjen, duke shkaktuar sherr në sallë. Olloni kërkoi të dinte se pse nuk lejohej që ta pyeste dëshmitarin, por kryetari i Kolegjit Penal, Gurali Brahimllari, i shpjegoi se “procesi nuk është në fazën e njohjes së të pandehurve me dëshmitarët”. Fill pas këtij debati, Olloni ka thënë se vetëm për këtë ngjarje po qëndron në burg, duke pohuar se po ia marrin jetën kot dhe se po kalbet gabimisht në burg.

Dëshmitari i dytë ka qenë Kujtim Haxhia, personi që ndodhej bashkë me Lulin dhe Kujtimin duke pirë kafe mesditën e 5 majit të vitit 2005. Në gjykatë është dëgjuar pak a shumë e njëjta dëshmi si ajo e Morinës. Në dallim me rrëfimin e Morinës, dëshmitari tha para gjykatës se nuk kishte parë asnjë person, pasi ishte me shpinë nga drejtimi që erdhën të shtënat. Ai tregoi se kishte marrë tre plumba dhe kishte mbetur pa ndjenja. Edhe pas ngjarjes ai nuk ishte interesuar për emrat e autorëve. Pas dëshmisë, i pandehuri Lul Berisha u ngrit dhe e pyeti nëse e njihte shtetasin Selim Pëllumbi, ndërsa Haxhia pohoi, pasi ditën e plagosjes ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes, duke pirë kafe në një tavolinë ngjitur me ta. Mbrojtja ka kërkuar thirrjen e tij si dëshmitar, ndërsa prokuroria nuk ka pranuar.

Seanca e djeshme gjyqësore vijoi me dëshminë e një eksperti të policisë, i cili ka bërë skemën kriminalistike të vendit të ngjarjes ku u vra shtetasi Erjon Lame. Ai tha se dokumenti u është dorëzuar organeve të policisë dhe ata kanë dijeni për përdorjen e tij. Ndërkohë, po në lidhje me vrasjen e shtetasit Erjon Lame, prokuroria ka thirrur për dëshmi shtetasin Alit Duka, i cili ka folur për shitjen e dy makinave pa kontratë në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›