E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hiqen 2/3 e licencave, të tjerat kalojnë tek One Stop Shop”

 

Pjesa më e madhe e licencave në të gjithë vendin do të hiqen, ndërsa ato që të mbeten do të kalojnë tek One Stop Shop. Së shpejti pritet të bëhet publike edhe lista përfundimtare e licencave. Një deklaratë e tillë është dhënë nga vetë kreu i qeverisë, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së radhës së Task-Forcës për reformën rregullatore. Në këtë mbledhje mësohet të jetë analizuar puna e bërë deri më tani në drejtim të reformimit të sistemit të licencave, aktet nënligjore dhe ligjore që janë marrë e duhet të ndërmerren për heqjen e 2/3-ave të lejeve e licencave në mbarë vendin, si dhe nisja e punës për etapën e dytë. Kjo etapë ka të bëjë pikërisht me transferimin e lejeve dhe licencave të mbetura në sistemin One Stop Shop. Gjatë kësaj mbledhjeje kreu i qeverisë ka theksuar se, duke ndjekur praktikën më të përparuar ndërkombëtare dhe shembullin e krijimit të qendrës së biznesit, licencat e mbetura do të kalojnë në One Stop Shop. Kryeministri shtoi gjithashtu se, me legjislacionin e ri, që po përgatitet për lejet dhe licencat, do të aplikohet në të gjitha rastet parimi “Heshtja është pranim”. Kjo do të thotë se do të ketë ndëshkim administrativ apo penal për nëpunësit, që nuk respektojnë afatet ligjore në komunikimin zyrtar me qytetarët. Në fund të këtij takimi u rezultua se së shpejti do të përfundojë lista e plotë e licencave, e cila do të bëhet menjëherë publike.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›