Maturantët në protestë para MASH
Maturantët, të cilët nuk do të mund të nisin Akademinë e Arteve dhe të Sporteve kanë vijuar protestat para MASH. Të rrëzuar në provimet me zgjedhje, ndërkohë që kanë fituar konkursin, ata kërkojnë që nota 4 të kthehet në pikë. "Meqenëse në konkurset që kemi zhvilluar për t'u pranuar në këto universitete jemi vlerësuar me maksimumin e pikëve, i kërkojmë ministrisë që të konvertojë notën në pikë. Të na heqësh të drejtën për shkollë është e padrejtë", thanë maturantët. Ata pretenduan se ndonëse ministria u mohon auditorët, kanë përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në zhanre të ndryshme artistike brenda e jashtë vendit. Një pjesë e tyre, madje kanë fituar një sërë çmimesh si në kanto, pikturë, skenografi, koreografi, cirk dhe volejboll. "Janë pikërisht këta maturantë, të cilët janë vlerësuar me çmimet e para në Kosovë, Poloni, Gjermani dhe brenda Shqipërisë", u shpreh i revoltuar njëri nga prindërit. Përkundër këtyre pretendimeve MASH është e vendosur të mos bëjë asnjë lëshim. "Në bazë të vendimit nr. 78, datë 8.2.2006 "Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike, pika 3: "Kanë të drejtë të kërkojnë që të vazhdojnë studimet në shkollat e larta publike, vetëm ata kandidatë, të cilët kanë kryer provimet e Maturës Shtetërore", ka sqaruar Ministria e Arsimit. Sipas këtij dikasteri, nxënësit që garuan për programet e studimit me konkurs janë njoftuar ditën e konkursit se kualifikimi përcaktohet nga rezultatet në provimet e Maturës Shtetërore dhe në konkurs. "Ky njoftim ka qenë edhe i afishuar publikisht në ambientet e Akademisë. Konkurrentët kanë qenë të barabartë në garën e tyre", sqaroi ministria.