E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Iku koha e pakicave elitare, spitali do drejtohet në staf"

Zirina Llambro 

"Ka ikur koha e drejtimit të QSU-së nga pakicat elitare, spitali më i madh në vend do të drejtohet në staf. Pjesëtarë të këtij stafi jeni ju shefat e shërbimeve". Kjo ka qenë deklarata e parë e drejtoreshës së re të spitalit "Nënë Tereza", Gjeorgjina Kuli. Në një takim mes kolegësh, ajo nisi dje zyrtarisht punën në krye të qendrës universitare. Për ministren e Shëndetësisë, por edhe mikeshën e saj, Anila Godon, drejtoresha e re ka integritetin e duhur për të përballuar sfidat e këtij sistemi. "QSUT-ja është pasqyra e fitoreve dhe disfatave të shëndetësisë dhe prandaj mendoj se puna që bëhet këtu reflektohet në të gjithë skajet e vendit", tha Godo. Sipas saj, është arsyeja kryesore pse duhet që reforma në shëndetësi të nisë nga aty. "Kjo është një qendër spitalore universitare e vetmja në vend, që ka përsipër të përmbushë tre atributet e saj diagnostiko-kurative, shkencore dhe didaktike dhe përmbushja e tyre është shumë e rëndësishme. Prandaj mendoj se doktoreshë Xhina është personi më i duhur për të kryer këtë detyrë", nënvizoi ministrja. Në krahun e djathtë të saj qëndronte një tjetër grua. Zv/ministrja Zamira Sinoimeri, është një figurë që prej vitesh punon në heshtje e pa shumë publicitet. Duke i parë të treja mjeket femra në panel, natyrshëm të vinte shprehja "Gruaja, forcë e madhe". Por, ashtu si në fakt nuk pritej, ish-drejtori i QSU-së, Mati Pepa, ka zbritur vetëm një shkallë më poshtë. Ai nuk do të largohet nga QSU. Do të mbajë postin e zv/drejtorit ekonomik duke vijuar "misionin" e nisur të menaxherit.
Fijet e korrupsionit
Për ministren Godo, korrupsioni në shëndetësi nuk është ai që duket. Rrënjët sipas saj, janë të thella e shpesh të padukshme. Përtej majës së ajsbergut, ministria ka vendosur të luftojë pikërisht këtë pjesë së gangrenës në shëndetësi. "Tema më e përfolur nga mediat sot është korrupsioni. Në disa raste me këtë fenomen edhe ekzagjerohet. Por gjithsesi unë kam marrë përsipër që me ndihmën tuaj ta luftoj edhe në ato fijet më të holla, që shpesh janë të padukshme", vijoi Godo. Ajo u bëri thirrje mjekëve për të vënë në jetë energjitë e nevojshme për të parë atë shëndetësi, së cilës gjithsecili prej tyre i ka kushtuar jetën. "Duhet të nxjerrim në pah anën tjetër, të këtij profesioni që të gjithë ne e dimë se vlera ka", shtoi ministrja dhe menjëherë pas prezantimit të drejtoreshës, nuk munguan edhe deklaratat nga disa prej shefave të shërbimeve. Mentor Petrela, shef i neurokirurgjisë dhe pjesë e elitës së spitalit deklaroi se, ndryshimet e shpeshta në administratë favorizojnë korrupsionin. "Duhet respektuar statuti dhe gjithçka është miratuar në funksion të rregullave të spitalit. Eksperienca ka treguar se ndryshimet e shpeshta në administratë nxisin më shumë korrupsionin. Ka njerëz që futen në punë dhe nuk kanë aftësitë e duhura. Prandaj në këtë pikë duhet pasur kujdes", tha Petrela.

PDK:  Të ndalen shkarkimet  politike në shëndetësi
"Ende pa vënë mirë këmbët në Ministrinë e Shëndetësisë, ministrja e re, largoi në mënyre të paligjshme disa prej zyrtarëve dhe nëpunësve civilë më të lartë të kësaj ministrie, si dhe janë vënë në shënjestër edhe me dhjetëra punonjës të shërbimit civil dhe drejtues të institucioneve shëndetësore, vetëm e vetëm pse ata kanë bashkëpunuar me kryetarin e PDK-së, z. Nard Ndoka për reformimin e sistemit shëndetësor, gjatë kohës që ai ishte ministër Shëndetësie". Ky ka qenë reagimi i sekretarit politik të PDK-së, por edhe një nga ish-drejtuesit e ministrisë, Lazër Stani, lidhur me ndryshimet e fundit në këtë dikaster. Sipas tij, këtyre zyrtarëve dhe nëpunësve të shërbimit civil u bëhen presione për dorëheqje, dhe kur kjo refuzohet, u bëhen kërcënime nga më të ndryshmet, në kundërshtim të hapur me ligjin. "SMS-të e dërguara nga ministrja edhe gjatë fundjavave, ku u kërkohet dorëheqje zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtuesve të institucioneve, janë një ogur i keq për reformën në shëndetësi dhe shprehin një mentalitet primitiv në qeverisje", tha Stani. Ai theksoi se, vetëm dje ministrja Godo ka firmosur shkarkimin e dy drejtorëve të Elbasanit, z. Luan Tabaku, drejtor i Drejtorisë së Spitalit Elbasan dhe të z. Everest Hoxha, drejtor i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Elbasan, ndërkohë që para pak ditëve u shkarkua edhe drejtori i spitalit në Durrës. "Një listë e gjatë shkarkimesh pritet të ekzekutohet në ditët e ardhshme, duke larguar çdo njeri që ka lidhje ose dyshohet se ka lidhje me Partinë Demokristiane. Eshtë absurde që, një vend që pretendon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, njerëzit të largohen nga puna pa pyetur për nivelin e tyre profesional, kontributet që ata kanë dhënë në administratën publike dhe në reformimin e institucioneve. Largime të tilla janë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe kanë vetëm një motiv, atë politik", vijoi Stani.                                a.sh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›