E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet kostoja e sektorit të ndërtimit

 

Rritet kostoja e ndërtimit. Sipas të dhënave më të fundit nga instituti i statistikave në vend, shkak është rritja e çmimeve të materiale të ndërtimit. Në tremujorin e dytë të 2008, indeksi i kushtimit në ndërtim arriti 128.3 për qind, duke shënuar një rritje 0.8 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Sipas INSTAT-it, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007 indeksi i kushtimit në ndërtim ka shënuar një rritje 1.3 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3 për qind. Indeksi i çmimeve të grupit “Shpenzime direkte” është rritur 1.1 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Brenda këtij grupi rritjen më të madhe e shënuan nëngrupet “Shpenzime materiale” prej 1.4 për qind dhe “Shpenzime për paga” prej 0.3 për qind. Ndërkohë përsa i përket indeksit të çmimeve për grupet e tjera nuk ka ndryshuar. Brenda nëngrupit “Shpenzime materiale” mund të përmendim rritjen e çmimeve të materialeve të ndërtimit prej 1.5 për qind, materialeve elektrike prej 2.3 për qind etj. Por rritja e kostos së ndërtimit mund të ndikojë në shtrenjtimin edhe më shumë të çmimeve të banesave. Sipas të dhënave zyrtare, çmimet e banesave çdo vit shtrenjtohen edhe më shumë. Çmimet më të kripura janë në kryeqytet dhe sidomos brenda zonës së unazës. Çdo vit çmimet e banesave rriten me 25 deri në 30 për qind. Aktualisht, një pjesë e konsiderueshme e blerjeve për pasuri të patundshme kryhet me financim nga sistemi bankar. Pjesa më e madhe e aktorëve të tregut janë të mendimit se financimi me kredi bankare ka njohur rritje, gjatë viteve të fundit. Kredia e dhënë për blerjen e pasurive të patundshme, e akorduar nga sistemi bankar, zakonisht përbën 80 për qind të vlerës së kolateralit. Të gjitha bankat e sistemit përdorin metodën e vlerës së tregut për vlerësimin e kolateralit. Po kështu, bankat aplikojnë për kredinë hipotekare si norma interesi fikse, ashtu dhe norma interesi të luhatshme. Për më tepër, ende dega e ndërtimit vazhdon të mbizotërohet nga ndërtimet për banesa. Pas viteve ‘90 sektori i ndërtimit pati një zhvillim shumë të madh. Bum i madh i këtyre viteve bëri që ky sektor të zinte një pjesë shumë të rëndësishme në ekonominë e vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›