E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli bën bilancin e OSSH: Janë përmirësuar treguesit

Gjatë muajve të parë të këtij viti është ulur niveli i humbjeve të energjisë në rrjet, si dhe është rritur niveli i arkëtimeve. 

Fabiola Çela

Këtë vit kufizimet e energjisë kanë qenë në nivele goxha më të ulëta se vitet e kaluara. Kështu është shprehur dje për mediat kreu i Ministrisë së Energjetikës, Genc Ruli, gjatë analizës 7-mujore të institucionit që ai drejton. “Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kemi një rritje të prodhimit me 29 për qind, pra nga 1.782 GWh në 2.300 GWh, si dhe një ulje të importit me 13.1 %, një ulje të kufizimeve me 125%”, ka thënë ministri. Madje, sipas tij, si 7-mujor ka një pakësim të humbjeve me 3,33 %, si dhe arkëtimet janë rritur me 2,7%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë sipas ministrit të Energjetikës, këtë vit në zonat turistike janë kryer investime të ndryshme në sektorin e shpërndarjes, për të rritur sigurinë e furnizimit me energji elektrike, si dhe për të përmirësuar cilësinë e saj, me një vlerë në total prej 265 milionë lekë. “Furnizimi me energji elektrike i zonave turistike ka pësuar një rritje të ndjeshme gjatë periudhës maj-gusht dhe konkretisht rreth 7 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit kaluar”, është shprehur Ruli.
Privatizimet
Këtë vit priten të mbyllet procesi i privatizimit për disa kompani të rëndësishme. Përsa i përket privatizimit të kompanisë së përpunimit të naftës ARMO ministri Ruli ka deklaruar përpara mediave se, aktualisht është firmosur kontrata me ofertuesin e shpallur fitues “Refinery Associates of Texas, Anica Enterprises & Mercuria Energy Group” dhe ka filluar procedura e miratimeve për bërjen efektive të kësaj kontrate. Po këtë vit do të mbyllet edhe procesi i privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). “Aktualisht kompanitë e para të kualifikuara (i) “ENEL S.p.a”, (ii) “ENERGIE STEIERMARK AG”, (iii) “EVN AG” dhe (iv) “CEZ”, janë duke përfunduar procesin e due diligence-s për përgatitjen e ofertave, të cilat do të paraqiten në datën 15 shtator 2008", vijoi ministri. Ndërkohë përsa i përket privatizimit të paketës shtetërore në shoqërinë AMC, ministri Ruli ka thënë se, tashmë ka përfunduar vlerësimi dhe u klasifikua si fituese kompania konsulente, e cila do të asistojë qeverinë shqiptare në procesin e vlerësimit dhe shitjes së aksioneve të mbetura shtetërore në shoqërinë AMC. “Ky privatizim do të mbyllet brenda vitit 2008”, është shprehur kreu i Ministrisë së Ekonomisë. Ndërkohë, sipas tij, gjatë vitit 2007 ishte realizuar nga privatizimi i aseteve një e ardhur prej 206.426.000 lekë, ndërsa si rezultat i punës së bërë vetëm në 5-mujorin e parë të vitit 2008, është realizuar një fitim prej 125.709.987 lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›