E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbeten pa universitet 13 mijë maturantë

Nuk do ketë asnjë përjashtim. Plot 13 000 maturantë kanë humbur përfundimisht të drejtën për të vazhduar universitetin. 

Zirina Llambro

Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe studentët e Akademisë së Arteve, Sporteve dhe Arkitekturës, të cilët kanë disa ditë që ankohen në Ministrinë e Arsimit. Ata kanë fituar konkursin, por nuk kanë arritur të marrin notë kaluese në provimet me zgjedhje. MASH ka argumentuar përjashtimin e tyre, me vendimin e Këshillit të Ministrave të dy viteve me parë. “Në bazë të vendimit nr. 78, datë 8.2.2006 “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike, pika 3: “Kanë të drejtë të kërkojnë që të vazhdojnë studimet në shkollat e larta publike, vetëm ata kandidatë, të cilët kanë kryer provimet e Maturës Shtetërore”, ka sqaruar Ministria e Arsimit. Sipas këtij dikasteri, nxënësit që garuan për programet e studimit me konkurs janë njoftuar ditën e konkursit se kualifikimi përcaktohet nga rezultatet në provimet e Maturës Shtetërore dhe në konkurs. “Ky njoftim ka qenë edhe i afishuar publikisht në ambientet e Akademisë. Konkurrentët kanë qenë të barabartë në garën e tyre”, sqaroi ministria.
Pranimet
Nga më shumë se 30.000 maturantë që përfunduan këtë vit shkollën e mesme, 13 mijë nuk do të kenë mundësi të nisin universitetin pasi janë skualifikuar në një nga 4 provimet e Maturës Shtetërore. Por ky shans i humbur për fat të keq, prej tyre krijon avantazh për të tjerët. Kjo, pasi konkurrenca i bie të jetë më pak e fortë. Veç të skualifikuarve në provime, një pjesë e maturantëve do të vazhdojnë jashtë universitetin, ndërsa të tjerë kanë preferuar privatin. Kandidatët që kanë marrë të gjitha provimet konkurrojnë për 20 211 kuota pranimi në shkollat e larta publike. Të gjitha këto i përkasin sistemit me kohë të plotë. Krahasuar me vitin e kaluar universitetin do ta nisin 6 mijë maturantë më shumë. Part-time do të kenë mundësi të fillojnë shkollën 500 kandidatë, ndërsa do të transferojnë programet mësimore 500 të tjerë. Nga ana tjetër studentët që kanë mbaruar një shkollë të lartë dhe janë të interesuar për një tjetër, do të zgjidhen me dosje. Dokumentacionin duhet ta dorëzojnë në Ministrinë e Arsimit brenda datës 10 shtator. Përveç tarifës së shkollimit, që varion nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë, kjo kategori kandidatësh duhet të ketë edhe afri me degën ku kandidon.

21.312
është numri total i kuotave të pranimit për shkollat e larta publike të vendit për vitin akademik 2008-2009. Qeveria mbylli këtë vit degët e hapura, por nga ana tjetër rriti kuotat e pranimit në shkollat e larta. 

13 mijë
maturantë nga rreth 30 mijë nuk do të kenë mundësi këtë vit të nisin një shkollë të lartë. Kjo, pasi nuk kanë marrë notë kaluese në një apo disa nga provimet e Maturës Shtetërore.

Zhduket provimi i 18-vjeçares, tenton të hidhet nga pallati

SARANDE - Zhdukja e fletës së provimit të letërsisë shtyn drejt vetëvrasjes maturanten e gjimnazin “Hasan Tahsini” të Sarandës. Anola Bajo është ngjitur në tarracën e një pallati pesëkatësh në afërsi të Komisariatit të Policisë, duke u shprehur se i humbi e drejta për të vazhduar studimet e larta. Që nga data 9 qershor, datë kjo kur është kryer testi i letërsisë, ajo nuk ka marrë asnjë përgjigje për provimin e saj. Normalisht 18-vjeçarja ka vijuar për të dhënë edhe provimet e tjera, atë të matematikës dhe ato me zgjedhje. Duke mos gjetur zgjidhje deri ditën e djeshme , rreth orës 14:00, ajo tentoi për t’i dhënë fund jetës. Banorë të pallatit, të afërm të vajzës dhe forca të policisë i kanë bërë thirrje vajzës 18-vjeçare të vetëpërmbahej. Pas 1 ore, kur në vendngjarje mbërriti dhe kryebashkiaku, Edmond Gjoka, i cili ka qenë i pari që ka kontaktuar me vajzën pas zbritjes së saj nga tarraca. Vetë vajza, e tronditur nga veprimi që kishte ndërmarrë u shpreh: “E kam protestë kundër atyre që më kanë vjedhur notën time. E kam bërë provimin, ministria është e detyruar ta gjejë atë”. I atij i saj, Agroni thotë se i është drejtuar ministrisë për këtë problem tepër shqetësues, por nuk ka marrë përgjigje.
Drejtori i shkollës së mesme “Hasan Tahsini”, Apostol Nika, pohon se maturantja ka qenë nxënëse me rezultate të mira. “Ajo ka qenë prezente në provim, është pajisur me testin nga administratorja e provimit, konkretisht Albina Proda, që erdhi në shkollën tonë nga Gjirokastra, dhe nga 21 teste që administratorja ka shpërndarë në atë sallë, janë dorëzuar 20 teste, duke mos përcaktuar dot se kush nuk e ka dorëzuar. Për mosdorëzimin e tij është mbajtur atëherë edhe procesverbal që natyrisht është përcjellë në AVA. Në kontaktin me vetë nxënësen ajo pretendoi se, provimi i saj u dorëzua tek administratorja dhe për këtë ajo kërkonte vlerësimin për të”. Ndërsa drejtori i zyrës Arsimore të Sarandës, Eduard Mehmeti, thotë se pas ankesës së parë është kërkuar zgjidhje. “Në datën 31 korrik i është kërkuar ministrisë të krijojë një sezon të veçantë për këtë nxënëse meqë ajo ngul këmbë se e ka dorëzuar testin. Deri tani nuk na është dhënë asnjë përgjigje. Kjo është e vetmja mundësi për zgjidhjen e këtij problemi”. Edhe kryebashkiaku Edmond Gjoka pohoi dje se do të ndihmojë në zgjidhjen e problemit, që 18-vjeçarja të mos rrezikojë shkollën.                    sh.d

Qeveria rrit me 10-20 për qind bursat për studentët

Qeveria rrit me 10% deri në 20% bursat për nxënësit dhe studentët që ndjekin arsimin e mesëm dhe atë të lartë.

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u miratua propozimi i ministrit të Arsimit, Fatos Beja, për kriteret që duhet të plotësojnë studentët për fitimin e këtyre bursave, duke i ndarë në kritere ekonomike, sipas rezultateve të arritura, jashtë kriterit ekonomik dhe sipas degëve parësore për zhvillimin e ekonomisë. “Si rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimeve, në bazë të çmimeve të shpallura nga INSTAT si dhe kërkesat e vazhdueshme të njësive të pushtetit vendor, që menaxhojnë buxhetin e këtyre bursave, është rritur niveli mujor i bursës për nxënësit nga 5000-5500 bëhet 6000-6500 lekë. Është propozuar rritja e bursës së studentëve të IAL publik me 10%, pra niveli i bursës për studentët nga 8000-8500 lekë në muaj, bëhet 8500-9000 lekë në muaj”, thuhet në relacionin e vendimit të miratuar dje nga qeveria. Sipas ministrisë, nga ky vendim do të përfitojnë 190 nxënës të arsimit të mesëm dhe 1600 studentë të arsimit të lartë. Kosto e këtij vendimi është 182 milionë lekë të reja.
Kriteri ekonomik
Sipas këtij kriteri do të përfitojnë bursë nxënësit/studentët, që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre, në largësinë mbi 5 km; nxënësit, që banojnë në fshat, pa shkollë 9-vjeçare, brenda rrezes prej 5 km, e që vendosen në konvikt publik; nxënësit/studentët që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik; nxënësit/studentët të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore, me vendim gjykate të formës së prerë, dhe që plotësojnë kriterin ekonomik; secili nga studentët bashkëshort, me fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik e që vendoset në konvikt publik; fëmija, nxënës apo student, që ka statusin e invalidit, paraplegjik e tetraplegjik dhe që plotëson kriterin ekonomik.
Sipas rezultateve
Përfitues nga vendimi i miratuar dje nga qeveria do të jenë gjithashtu edhe nxënësit e arsimit të mesëm profesional që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës, me të gjitha notat 10-ta; studentët që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, e që kanë mbaruar shkollën e mesme me Medalje Ari; studentët që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, e që janë shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës më të mirët e Maturës Shtetërore. Për vitin 2008 janë, gjithsej, 30 (tridhjetë). Kjo kategori studentësh përfiton bursë vetëm për vitin shkollor 2008-2009; studentët që kanë mbaruar vitin akademik, pararendës, me të gjitha notat 10-ta; studentët që vazhdojnë studimet në degët matematikë dhe fizikë, në vitet e dyta e lart dhe që e kanë përfunduar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8-të.
Kategoritë e tjera
Gjithashtu në vendim parashikohet që bursa të përfitojnë edhe fëmijë, nxënës apo student i punonjësit të policisë, që ka humbur jetën në krye e për shkak të detyrës; nxënësit, të cilët vazhdojnë studimet në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe në ndërtim, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8-të. Në vendim parashikohet që nxënësit dhe studentët nuk e përfitojnë ose/dhe e humbasin të drejtën e përfitimit të bursës, kur janë ndarë nga trungu familjar; familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private; vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi; shpallen mbetës dhe humbasin vitin shkollor, për arsye të rezultateve jokaluese.

Pedagogët, Kule: Nuk do të lejoj dypunësimin

Dypunësimi i pedagogëve nuk do të lejohet më në universitetet publike. Përjashtime do të ketë vetëm për rastet kur ka marrëveshje bashkëpunimi me privatët. Kreu i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ka dhënë garanci se nuk do të ketë më braktisje të auditorëve nga stafi akademik. “Asnjë anëtar i këtij stafi nuk do të mund të kryejë disa punë njëkohësisht. Përjashtime do të ketë vetëm për rastet kur mes universiteteve ka marrëveshje bashkëpunimi”, tha Kule. Sa i përket 160 pedagogëve të rinj, që do të punësohen, fluksi i dosjeve të dorëzuara ka qenë i lartë. Deri tani sipas Kules, në rektorat kanë mbërritur 300 të tilla. Prej tyre 50 kandidatë kanë përfunduar studimet jashtë. Edhe një ditë kohë kanë të gjithë të interesuarit për të dorëzuar dosjet. Data 29 gusht është afati i fundit i pranimit. Nga sa duket, studentët që mbarojnë jashtë nuk kanë ndonjë interes shumë të lartë për të nisur punë si pedagogë në universitetet tona publike. Kjo, ndonëse për përzgjedhjen ky do të ishte një nga avantazhet kryesore. Një tjetër kusht për t’u pranuar si pedagog i ri pranë Universitetit të Tiranës do të jetë mesatarja. “Kandidatët duhet të kenë notë mesatare të përgjithshme të studimeve universitare 9 e lart dhe të lëndëve të specialitetit, 9.5 e lart. Për kandidatët, që kanë përfunduar studimet në universitete të huaja të akredituara, me notë mesatare të përgjithshme mbi 8 dhe të specialitetit mbi 8.5”, ka përcaktuar rektorati. Domosdoshmërisht pedagogët e rinj duhet të kenë diplomën “Master të nivelit të dytë” në fushën përkatëse, ose diplomë universitare të integruar të nivelit të dytë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›