Hiqen kufizimet e energjisë, ndërprerjet vetëm në orët e pikut
• KESH ka vendosur që të mos aplikojë më kufizimet e energjisë. Sipas burimeve nga Korporata, nuk do të ketë drita vetëm në rastet kur ka mbingarkesë.Vendimi i KESH-it vjen vetëm pak ditë pas deklaratës së kreut të qeverisë, Berisha. Në fakt, pas përmirësimit të situatës hidrike në vend, KESH pati premtuar se do të ulte kufizimet e energjisë, duke nisur që nga festat e fundvitit. Por pas deklaratës së bërë nga Kryeministri, KESH-it i është dashur që të përshpejtojë paska vendimin e saj. Reshjet e kohëve të fundit kanë përmirësuar ndejshëm situatën hidrike në Fierzë. Sipas të dhënave zyrtare, niveli i ujit në liqen është 282.82 metra, ndërsa prurjet e ujit janë 235 metër kub në sekondë. Edhe në dy HEC-t e tjera, në Koman dhe në Vaun e Dejës, niveli i ujit ka pësuar rritje të ndjeshme. Pas këtij përmirësimi, KESH rriti prodhimin vendas të energjisë, i cili është 12.3 milionë kilovat/orë. Aktualisht energjia prodhohet nga HEC-i i Komanit, Vaut të Dejës dhe një pjesë e vogël nga Fierza. Me përmirësimin e situatës hidrike në vend, KESH e ka parë me vend që pjesën më të madhe të kërkesës për energji ta plotësojë nga prodhimi vendas. Në këto kushte, KESH ka vendosur të blejë energji vetëm për tre muajt e parë të vitit 2008. Por, edhe pse situata në Fierzë është në nivel mjaft të mirë, përsëri Korporata po e përdor me nikoqirllëk rezervën ujore në kaskadën e Fierzës, me qëllim për ta përdorur atëherë kur dhe kërkesa për energji është më e lartë. Aktualisht me uljen e temperaturave, konsumi i energjisë është rritur ndjeshëm, konkretisht në 20.9 milionë kilovat/orë. Por gjatë ditëve të festave të fundvitit, konsumi i energjisë arrin mbi 22-23 milionë kilovat/orë. Për këto ditë KESH ka premtuar se do të bëjë maksimumin e mundshëm, me qëllim që të këtë energji 24 orë pa ndërprerje.KufizimetKrahasuar me një vit më parë, këtë vit kufizimet e energjisë kanë qenë më të pakta. Ky reduktim i ndërprerjeve ka ardhur pas përmirësimit të situatës hidrike në kaskadën e Fierzës. Ndryshe nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, këtë vit reshjet nuk kanë munguar, çka ka përmirësuar ndjeshëm situatën hidrike në vend.Fierza 282.82 metra niveli i ujit në Fierzë 235 m3/sek prurjet e ujit 10 cm rritja ditore 170.98 metra niveli i ujit në Koman 54 m3/sek prurjet e ujit 73.94 metra niveli i ujit në Vaun e Dejës 12.3 milionë kilovat/orë prodhimi 8.6 milionë kilovat/orë importi 20.9 milionë kilovat/orë konsumi