E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në 2008 gati regjistri i kredive

• Vitin e ardhshëm Banka e Shqipërisë pritet të përfundojë regjistrin e kredive, qëllimi kryesor i të cilit do të jetë ndihmesa në kryerjen etransaksioneve të shëndosha kredituese, nëpërmjet vënies në dispozicion të të gjithë informacionit, që bankat e sistemit disponojnë mbi kredimarrësit, duke nxitur procesin e kredidhënies. Gjithashtu, regjistri do të ndikojë si në uljen e informalitetit në ekonomi, ashtu edhe në rritjen e vëllimit të kredive, duke reduktuar koston dhe kohën e procesit të kreditimit dhe, rrjedhimisht do të ushtrojë ndikim edhe në rritjen ekonomike të vendit. Sipas raportit më të fundit të BSH-së, kredia për bizneset është rritur me mbi 50 për qind në muajin gusht, duke arritur në një nivel prej 16 për qind të PBB-së, ndërsa kredia për individët, ndonëse zë një pjesë më të vogël të portofolit të përgjithshëm, ka vazhduar të rritet me rreth 70 për qind në terma vjetorë. Ndërkohë, sipas BSH-së, rritje e theksuar është evidentuar edhe në ecurinë e eksporteve me rreth 28 për qind për periudhën janar-gusht 2007. Zgjerimi i deficitit tregtar me 4 pikë përqindjeje në terma të PBB-së gjatë kësaj periudhe, reflekton jo vetëm rritjen e konsumit, por edhe rritjen e investimeve. Importet e mallrave kapitalë dhe të atyre të ndërmjetëm janë rritur me rreth 30 për qind gjatë gjashtëmujorit të parë. Investimet e huaja direkte kanë siguruar gjithashtu një ndihmë të konsiderueshme për aktivitetin ekonomik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›